Vujiçiq: Malazezët përkrahin formimin e Ushtrisë së Kosovës

12.03.2017 17:24
Vujiçiq: Malazezët përkrahin formimin e Ushtrisë së Kosovës

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë, Sllobodan Vujiçiq ka deklaruar se komuniteti malazez në Kosovë përkrah fuqishëm krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, Vujiçiq thekson se shndërrimi i FSK-së në forcë të armatosur të Kosovës ka përkrahjen e të gjitha grupeve parlamentare, përveç pakicës serbe, gjë e cila tregon qartë se ka ardhur koha që Kosova të fitojë ushtrinë e saj multi-etnike e cila, siç thotë Vujiçiq, “me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, në një të ardhme të afërt, të integrohet në familjen e shteteve euro-atlantike”.

“Kosova dhe qytetarët e saj nuk guxojnë të jenë viktima të pikëpamjeve të një apo dy për qind të atyre që mendojnë ndryshe, dhe në këtë mënyrë këto politika e praktika duhet të ndërpriten”, ka thënë Vujiçiq.

Sipas tij, siguria është qenësore për zhvillimin e çdo vendi sepse, siç thotë ai, pa siguri nuk ka stabilitet dhe nëse nuk është kjo e fundit, “atëherë nuk ka investime të huaja, nuk ka vende të reja pune dhe nuk ka progres dhe zhvillim të një shoqërie”.

“Prandaj, edhe pse ne nuk jemi një kategori kushtetuese, duam të bëjmë të qartë se si malazezë mbështesim formimin e Ushtrisë së Kosovës e cila do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve të saj dhe do të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon, që është me rëndësi të madhe për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë në fund kryetari i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë, Sllobodan Vujiçiq.