Vuçiq: Serbia kurrë nuk do të jetë pjesë e NATO-s që deshi të na vrasë fëmijët

Vuçiq: Serbia kurrë nuk do të jetë pjesë e NATO-s që deshi të na vrasë fëmijët

Serbia po kujton në forma të ndryshme një nga ngjarjet që i dha fund luftës së përgjakshme në Kosovë, kur me 24 mars, Aleanca Veri atlantike nisi bombardimet ndaj Serbisë.

Kryeministri serb, Aleksander Vuçiq po merr pjesë në një ngjarje e cila po mbahet në Gredlica, një qytezë mes Nishit dhe Vranjes, aty ku gjatë bombardimeve u sulmua edhe një tren që po barte udhëtarë.

Kryeministri serb ka përdorur një gjuhë të ashpër në fjalimin e tij para shumë qytetarëve serb të mbledhur në këtë qytezë për të kujtuar viktimat e sulmeve të NATO-s, raporton Insajderi.

Madje Vuçiq ka pasur një porosi të qartë për NATO-n, në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe aleanca veri atlantike kanë ngritur zërin për një ndikim të madh të Rusisë në Ballkan, dhe në mënyrë specifike në Serbi.

“Serbia nuk do të kërkojë kurrë të jetë anëtare e Aleancës euroatlantike e cila deshi të vrasë fëmijët dhe shkatërroj shtetin”, ka thënë kryeministri serb, raporton Insajderi.

Vuçiq në fjalimin e tij ka thënë se bombardimet e NATO-s edhe pse kanë pasur për qëllim që ta shkatërrojnë Serbinë, por sipas tij, vetëm e kanë bërë më të fortë./Insajderi.com