“Vuçiq nuk e pranon ofertën e Amerikës për Kosovën”

“Vuçiq nuk e pranon ofertën e Amerikës për Kosovën”

Gazeta serbe Novosti në një artikull të publikuar sot, shkruan se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka hedhur poshtë propozimin e Amerikës për zgjidhjen e problemeve me Kosovën, që njihet si “paketa amerikane”.

Këtë propozim Vuçiq, gjithnjë sipas burimeve të gazetës serbe, e ka refuzuar pasi e ka cilësuar të padenjë dhe të papranueshme për Serbinë.

Novosti pretendon se i ka siguruar  katër shtyllat kryesore të këtij propozimi

“Asocacioni merr fuqi të gjera ekzekutive dhe kompetenca të zgjeruara në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës. Asociacioni do të ishte i lidhur ngushtë me zv/kryeministrin e Kosovës që do të vinte nga radhët e komunitetit serb, e që do të ishte kontrollues i kësaj bashkësie”, janë dy pikat e para të paraqitura në këtë artikull.

Tutje thuhet se Serbia nuk duhet ta pengojë rrugën e Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Beogradi duhet të mundësojë që Kosova të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, dhe OKB-së. Në qoftë se Serbia bie dakord me këtë paketë, do të ishte në gjendje të hyjë në BE dhe Amerika do të mbështeste në aspektin ekonomik dhe politikën ndërkombëtare”, thuhet të jenë dy pikat e tjera të kësaj pakete.