Vuçiq: Nëse nuk e këpusim nyjën do të jemi një milion më pak në vitin 2050

Në konferencën për medie e cila është duke u mbajtur në Beograd, Vuçiq flet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Vuçiq: Nëse nuk e këpusim nyjën do të jemi një milion më pak në vitin 2050

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq po i drejtohet opinionit në një konferencë për medie. Siç është paralajmëruar Vuçiq do të flasë për negociatat mbi statusin e Kosovës dhe çështjeve të tjera që kanë lidhje me Serbinë dhe rajonin.

“Kur e kam pranuar mandatin e kryetarit, kam thënë se do të merrem me çështjet më të vështira, kyçe dhe më të rëndësishme për ardhmërinë e Serbisë. Kjo është zgjidhja e ardhmërisë së Kosovës. Zgjidhje të lehtë nuk ka, e as nuk do të ketë. Këtë mund të premtojnë vetëm njerëzit joserioz, të papërgjegjshëm dhe sipërfaqësor, të cilët i kemi me bollëk”, ka shpjeguar Vuçiq, transmeton Insajderi.com.

“Për fat të keq, shqiptarët, me pajtimin e heshtur të BE, nuk e kanë plotësuar obligimin e vetëm e ky është formimi i AKS”, pretendon ai.

“Jemi përpjekur në çdo moment të fitojmë sa më tepër për popullin tonë, e të humbasim sa më pak. Me Marrëveshjen e Brukselit AKS është ai i cili propozon komandantin e policisë për Veri, ku Prishtina do të duhej ta zgjedhë një prej katër propozimeve. Ne këtë nuk mund ta realizojmë, prandaj Prishtina po na e cakton komandantin. Ekzistojnë shumë të drejta nga të cilat jemi privuar për shkak të mosrespektimit të Marrëveshjes së Brukselit, i cili është nënshkruar a e ka edhe parafin e BE-së”, ankohet Vuçiq.

Ai shton se Serbia i ka dy rrugë:

“Që Serbia ta ndërmerr këtë hap vet, mirëpo ekziston rreziku nga aksioni i njëanshëm i Prishtinës  dhe përkundër dëshirës së serbëve t’i marrin objektet vitale në veri të Kosovës. Prandaj këshilla dhe politika e Serbisë është të punojmë me kujdes dhe t’i përcjellim ngjarjet, të insistojmë në të drejtat tona dhe ta zgjedhim momentin i cili do të jetë i koordinuar me interesat tona, të mund të garantojmë dhe ta ruajmë paqen dhe stabilitetin dhe të mos e rrezikojmë sigurinë e popullit tonë”, ka deklaruar Vuçiq në adresimin e tij kombit.

“Nevojitet zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi, sepse është e nevojshme për paqe, pastaj mund të merremi me faktorin ekonomik në vend si dhe do të tërheqim investimet e huaja. Këtu është edhe çështja demografike. Nëse nuk e zgjidhim nyjën e Kosovës do të kemi një milionë njerëz më pak deri në vitin 2050. Bëhet fjalë për optimizmin, besimin në ardhmëri”, numëron Vuçiq.

Sa i përket kritikave dhe akuzave se ai dhe ekipi i tij janë tradhtarë, ai përgjigjet se “duhet të kenë qasje më racionale. Pak njerëz në Serbinë qendrore dhe në Beograd e dinë se ne nuk kemi kontroll në Kopaonik, se mund ta shihni KFOR-n në Majën e Pançiqit”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se janë vendimet  e vështira para tyre në shtator./Insajderi.com.