Vuçiq kërcënon Kosovën: Mos i vrisni serbët, sepse do të reagojmë

Vuçiq kërcënon Kosovën: Mos i vrisni serbët, sepse do të reagojmë

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar shtetin e Kosovës, derisa në njërën anë ka “lutur” qytetarët shqiptarë të Kosovës që të mos tentojnë të vrasin serbët, sepse siç ka thënë ai, Serbia do të reagojë.

Vuçiq ka thënë se rreth 50 autobusë me shqiptarë hyjnë çdo ditë në Serbi nga Kosova, dhe askush nuk i nxjerr problem atyre, shkruan portali serb N1.INFO.

“Serbët duhet të mbesin në tokën e tyre e shqiptarëve u them mos u përpiqni t’i sulmoni serbët me armë, sepse Serbia do të reagojë. Ua kam tërhequr vërejtjen të tjerëve që po heshtin. Për ne është problem nëse dikush i vret serbët. Nuk e lejojmë askënd që t’i vrasë serbët. Silluni me përgjegjësi dhe se paqja është në interes të të gjithëve. Mos luani dhe mos e rrëzoni atë që e kemi punuar gjatë – paqen. As gjyveçi, as çokollata e as treni s’është kërcënim për askënd. 50 autobusë në ditë kalojnë në Serbi dhe asnjëri nuk ka problem. Dhe mos na u kërcënoni se as unë nuk po kërcënohem, por lutje që mos t’i vrasin serbët”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri serb ka thënë se për çështjen e trenit ka folur me shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.

“E kam informuar Mogherinin dhe i kam treguar se sa jam i dëshpëruar me mosreagimin e BE-së. Sonte pres reagimin e rusëve, nesër të Kinës, e nesër a pasnesër do e kontaktoj edhe Bidenin. Do ta bëjmë një analizë të të gjitha shkeljeve që i kanë bërë shqiptarët në javët e muajt e fundit”, u shpreh kryeministri serb. /Insajderi.com