Vuajtja e kosovarëve për pensionet e Zvicrës mund të marrë fund së shpejti

Vuajtja e kosovarëve për pensionet e Zvicrës mund të marrë fund së shpejti

Nuk ka pension nëse jeton në Kosovë. Ky rregull ka 7 vite që mban peng kosovarët që jetojnë në Zvicër e që dëshirojnë që kohën e pensionit ta jetojnë në vendlindjen e tyre, nuk mund ta bëjnë këtë, shkaku i ligjit zviceran që ndalon pensionet për ata që nuk jetojnë në Zvicër.

Për këtë arsye, televizioni publik zviceran ka bërë një reportazh me kosovarët të cilët përballen me problemin e mos marrjes së pensioneve nëse dëshirojnë të jetojnë në Kosovë.

Një nga ta është Ramë Gjonaj i cili ka punuar 30 vite në një kompani ndërtimi në Zvicër. Ai do të kishte dëshirë që kur të pensionohej të kthehej në Kosovë me familjen e  tij. Por ai nuk do të mund ta marrë pensionin nëse e bënë këtë hap.

“Me qejf do të kthehesha në Kosovë. Për shumë vite punë këtu, kam arritur ta ndërtojë një shtëpi në Kosovë. Por tash për tash nuk mund ta bëjë këtë”, ka thënë Gjonaj për SRF-në.

Gjonaj i cili është në prag të pensionimit thotë se vendimi i vitit 2010, kur Këshilli Federal i Zvicrës arriti marrëveshje me Kosovës ia ka prishur planet e pensionimit.

Para kësaj marrëveshje ai do të mund ta merrte pensionin edhe nëse kthehet në Kosovë.

“Për mua është e pakuptueshme pse vetëm kosovarët nuk mund ta marrin pensionin”, thotë Gjonaj.

Këtë problem e ka edhe Mina Hasani me banim në Kosovë. Ajo ka vite që e pret bashkëshortin e saj të kthehet nga Zvicra pasi të pensionohet. Por i duhet të pres. Ajo kishte aplikuar që të jetojë në Zvicër me vajzën e saj,Lumnien, por nuk i ishte pranuar.

“Ky është diskriminim i pastër”, thotë Lumnia për SRF-në.

Por kjo mund të ndryshojë. Osman Osmani një biznesmen është duke luftuar me vite që të arrijë ta ndryshojë marrëveshjen.

“Kjo është e drejtë e punëtorëve nga Kosova, i cili shpenzon vite të tëra duke punuar në Zvicër dhe dëshirojnë që pensionin ta kalojnë në vendlindje”, thotë Osmani.

Ai ka mbështetjen e Bernie Barbara Gysi nga Berni, një drejtuese e Unionit të Punëtorëve në Zvicër.

“Njerëzit kanë të drejtë ti marrin pensionet e tyre që i kanë fituar në Zvicër. Çfarëdo vendimi tjetër është provokim i klasës punëtore.  Por e pranoj se është pak e trishtueshme nëse pensionistët nuk dëshirojnë të jetojnë këtu, por u takon atyre”, thotë Gysi.

Zyra Federale për Sigurime Zvicër thotë se autoritetet në këtë shtet, ka shumë dilema nëse vendimi i vitit 2010 mund të kthehet prapa dhe të lejohet marrja e pensionit edhe nëse jetojnë në Kosovë.

“Por janë disa pyetje që duhet të sqarohen përpara se të merren këto vendime”, thuhet në përgjigjen e tyre. /Insajderi.com

Pro ndryshimit të këtij vendimi po del të jetë edhe partia SVP në Zvicër. Sipas tyre, asnjë qytetari nuk duhet t’i ndalohet e drejta e shfrytëzimit të pensionit të tij pa marrë parasysh në cilin vend jeton./Insajderi.com