Vritet një terrorist kosovar në Siri, kreu sulm kamikaz

I vrari është Blerim Podvorica, xhihadist kosovar, i cili iu kishte bashkuar Shtetit terrorist Islamik (ISIS). Raportohet se ai ka vrarë veten dhe disa ushtarë sirianë të Assadit

Vritet një terrorist kosovar në Siri, kreu sulm kamikaz

Një kosovar raportohet të jetë vrarë në Siri, pasi ka kryer një sulm kamikaz kundër ushtrisë së Bashar Al Asadit. Sipas medieve kosovare, i vrari është Blerim Podvorica, xhihadist kosovar, i cili iu kishte bashkuar Shtetit terrorist Islamik (ISIS). Raportohet se ai ka vrarë veten derisa me veturën e tij të mbushur me eksploziv, sulmoi një turmë ushtarësh të Assadit në Tedmur të qytetit perëndimor të Sirisë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës të javës që shkoi. Vdekjen e kosovarit e ka konfirmuar vetë vëllai i Blerim Podvoricës, Kreshnik Podvorica, përmes Facebook-ut.

“E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni janë të vdekur jo ata janë të gjallë por ju nuk kuptoni”, citon një ajet të Kur’anit, vëllai i të vrarit, derisa jep njoftimin për vrasjen e tij, shkruan Express.

Në dy shpërthimet e veturave me eksploziv, njërin prej të cilëve e kreu kosovari Podvorica, më 12 qershor në Tedmur, mbeten të vrarë 12 ushtarë sirianë, ndërsa në përleshjet që pasuan pas shpërthimit kishin humbur jetën edhe 30 anëtarët të ISIS-it. Lajmi se është vrarë Podvorica është dhënë edhe në disa portale tjera kosovare.

Podvorica si ushtar i ISIS-it kishte marrë emrin Ebu Zejd Kosovi.

Kreshnik Podvorcia, i vëllai i Blerimit, thotë se ka edhe pamje të sulmit me eksploziv që kreu kosovari.

Ndryshe, Podvorica është kosovari i pestë i ISIS-it që njoftohet të jetë vrarë në Siri, vetëm gjatë qershorit. Para më pak se dy jave, në një sulm me bombe të lansuar nga aeroplanët pa pilotë mbi një kamp të “Shtetit Islamik”, u raportua të jetë vrarë edhe komandanti i vetëshpallur i ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri dhe Irfan Haqifi, vëllai i terroristit Ridvan Haqifi që po ashtu u vra muaj më parë, njofton albinfo.ch

Ky është sulmi i dytë kamikaz i kryer nga një kosovar në luftime përkrah ISIS-it. Në mars të 2014-s Blerim Heta kishte çuar veten në ajër në Irak, duke vrarë mbi 50 irakianë.

Deri më tani, luftës qytetare në Siri e Irak i janë bashkuar rreth 300 kosovarë, përfshirë edhe gratë dhe fëmijë e tyre. Nga atje janë kthyer rreth 110 sosh, ndaj të cilëve po vazhdojnë procedurat gjyqësore, përfshirë edhe disa që tashmë janë dënuar me vendim të gjykatës me shumë vite burg. Kurse gjatë luftimeve 4 vjeçare janë vrarë rreth 50 kosovarë./Albinfo.ch