“Vrasja shqiptare” e Oliver Ivanoviçit

“Vrasja shqiptare” e Oliver Ivanoviçit

Vrasja e Oliver Ivanoviç, shënon vrasjen e parë politike për luftë të brendshme mes serbëve në Kosovë. Si e tillë ajo është bërë jo vetëm për të hequr qafe një qytetar shumë përfaqësues serb të Kosovës, por dhe për tu përdorur politikisht ndaj shqiptarëve dhe shtetit të dobët të Kosovës.

Dhe këtu ka disa pika të dobëta të shoqërisë së Kosovës që mund të keqpërdoren.

Mbi të gjitha ka të bëj me traditën e keqe të vrasjeve politike në Kosovë dhe me ngulitjen e paranojës në bashkësinë ndërkombëtare, se shqiptarë nuk bëjnë dot një shtet të sigurt për qytetarët e tyre.

Vrasja e një politikani të lart serb të Kosovës, dhe ndoshta më të moderuarit prej tyre, mbart në vetvete, jo vetëm përpjekjet për radikalizimin e situatës, por dhe guximin për të mos u ndëshkuar nën shembullin e keq që kanë dhënë shqiptarët për vrasjet politike brenda tyre. Për këtë arsye, ai hetim duhet të kthehet në prioritet shtetëror dhe domosdoshme për shkak të besimit të ulët që perëndimi ka tek drejtësia në Kosovë.

Vrasja e Ivanoviçit është një si vrasjet e politikanëve shqiptarë në Kosovë, që janë hequr qafe për rivalitet politik prej vitit 1999 dhe akoma nuk kanë dënuar askënd. Nëse kjo vrasje injorohet dhe vrasësit lihen të lirë, atëherë Kosova rrezikon të perceptohet si shtet, që këto 20 vitet e fundit ka më shumë vrasje politike se çdo vend i botës, dhe nuk është ndëshkuar asnjë vrasës.

Kjo e bën edhe më urgjente, nevojën e Gjykatës speciale, jo vetëm për krimet e shqiptarëve kundër njëri tjetrit, por dhe krimet e serbëve kundër njëri tjetrit, për rivalitet politik. Së fundmi vrasja duhet të hetohet dhe gjykohet shpejt edhe për rrezikun e përdorimit të saj për trazira në Kosovë dhe më gjerë.

Skenarët e vrasjeve politike në zona të nxehta siç është veriu i Kosovës, dhe radikalizmi i segementeve kriminalë, që manipulojnë me vrasje të tilla, mund të rris koston e mungesës së drejtësisë në Kosovë duke shkuar tek skenarë gjeopolikë të rrezikshëm. Është koha kur radikalët serb, duan ta paraqesin Kosovën si një shtet të dështuar që nuk u del dot zot qytetarëve të vet.

Kosova duhet ti dal zot Ivanoviçit si qytetar I saj. Ajo duhet të investohet fort tek gjetja e autorëve, dhe nxjerrja e tyre para drejtësisë, për të shmangur çdo përpjekje për keqpërdorimin e kësaj vrasje për nevoja etnike, nacionaliste apo më gjerë.

Retorika e disa serbëve se vrasësit e Ivanovicit janë shqiptarë, janë tipike, si retorika e shumë vrasësve shqiptarë, që natën vrisnin intelektualë dhe politikanë shqiptarë dhe në mëngjes thoshin “I vrau Serbia”!.

Ivanoviç është vrarë nga shqiptarët, po aq sa është vrarë nga serbët Xhemail Mustafa, Enver Maloku dhe dhjetëra politikanë të tjerë shqiptarë në Kosovë pas vitit 1999 kur Kosova që qeveriset nga shqiptarët të jetë e pazonja të dëshmoj kush e vrau atë dhe të mos I nxjerr para drejtësisë vrasësit serb. Ky është shërbimi më I madh që pushteti në Kosovë mund të bëj serbëve dhe të vulos “vrasjen shqiptare” të Oliver Ivanoviçit.