‘Vrasja e Ivanoviqit hap “mundësi për marrëveshje” midis Kosovës e Serbisë’

‘Vrasja e Ivanoviqit hap “mundësi për marrëveshje” midis Kosovës e Serbisë’

Pas vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Beogradi duhet ta kuptojë se duhet të heqë dorë nga veriu i Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Edëard Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

Joseph thekson rëndësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që palët të arrijnë marrëveshje. Ai po ashtu thotë se shqiptarët që kanë kryer krime kundër serbëve, duhet të përgjigjen për to në Gjykatën e Posaçme.

“Më lejoni ta bëj të qartë, për vrasje nuk ka nevojë kurrë, vrasja është tragjedi, por nëse të gjitha palët bëjnë një hap prapa dhe ekzaminojnë se si dhe pse është vrarë Oliver Ivanoviq, del se arsye janë gjërat për të cilat është brengosur Ivanoviq: krimi dhe mungesa e ligjit në veri të Kosovës. Jo që nuk ka krim edhe në jug, por në veri nuk ka autoritet të duhur”, ka thënë Hopkins.

Ai thotë se “Nuk ka autoritet as Qeveria në Prishtinë, nuk ka autoritet as Qeveria në Beograd. Ivanoviq ka paralajmëruar për këtë, ai ka folur për shitje të hapur të drogës, për kriminelët përreth, për mungesën e autoritetit të policisë, për bashkëpunimin e mundshëm të policisë me kriminelë apo për infiltrimin e kriminelëve në polici. Ai ka folur për të gjitha këto gjëra në një intervistë për “Vreme” (v.j. gazetë serbe) shtatorin e kaluar. Ai është vrarë dhe tani është mundësia për Beogradin që të shohë se kjo më nuk është e zbatueshme; të bëjë përpjekje dhe të arrijë marrëveshje me Prishtinën. E them edhe në artikullin tim se kjo është vërtet e mundur nëse Shtetet e Bashkuara janë të përfshira”.