I vrari në aeroportin e Parisit, i njohur për autoritetet franceze

I vrari në aeroportin e Parisit, i njohur për autoritetet franceze

 

Forcat e rendit në aeroportin “Orly” të Parisit, kanë vrarë një person, i cili ka tentuar që t’ia marrë armën një ushtareje, duke bërë që autoritetet të mbyllin aeroportin.

Askush nuk është lënduar nga ky incident, i cili vjen në kohën kur Franca është në gatishmëri të lartë, pas një serie të sulmeve të grupeve xhihadiste, që kanë marrë jetën e më shumë se 230 personave, që prej janarit të vitit 2015.

Prokurorët francezë kanë thënë se lidhur me incidentin e së shtunës, kanë nisur një hetim anti-terrorist.

Ministri i Brendshëm i Francës, Bruno Le Roux, ka thënë se personi që është vrarë të shtunën, ka qenë i lidhur me një sulm të mëhershëm mbi policinë në veri të Parisit, ku një zyrtar policor ishte lënduar, duke shtuar se ky person “ishte i njohur për policinë dhe shërbimet e inteligjencës”.

Incidenti ndodhi rreth orës 8:30 në terminalin e aeroportit “Orly”, i cili është aeroporti i dytë më i madh në Paris.

“Personi ia mori armën ushtarit dhe u fsheh në një dyqan të aeroportit para se të qëllohej për vdekje nga forcat e sigurisë”, ka thënë për AFP-në, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme.

Duke folur për mediet, pasi vizitoi aeroportin, ministri Le Roux tha se burri kishte tentuar, “por s’ia ka arritur” që t’ia marrë pushkën një ushtareje, e cila ishte në patrullim me dy kolegë të tjerë, njofton rel.

Ai shtoi se i vrari ishte i dyshuar për një sulm ndaj policëve në metronë e Garges-les-Gonesse.