Voton Kurti, flet për të dorëhequrit

Voton Kurti, flet për të dorëhequrit

Kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka ushtruar të drejtën e tij për të votuar në zgjedhjet e brendshme për kryetar të partisë.

Ai ka thënë se Vetëvendosje është partia më demokratike në vend.

“Tetë klasat e shkollës fillore i kam mbaruar pikërisht këtu në shkollën Naim Frashëri, në të cilën erdha për të votuar për zgjedhjet e brendshme, të lira dhe demokratike të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat, në njërën anë, janë obligim i yni statutar, dhe në anën tjetër, paraqesin një demokraci të thellë, për shkak se në vetëvendosje kryetari zgjidhet me mënyrën ‘një anëtar, një votë'”, ka thënë Kurti para medieve.

Ai ka ftuar të gjithë anëtarët që ta ushtrojnë këtë të drejtë.

“Unë e shfrytëzova të drejtën që të votoj, dhe i ftoj të gjithë  anëtarët e Lëvizjes sonë që, në këtë ditë të bardhë të votojnë lirshëm dhe të përcaktohen në mënyrë demokratike”, ka shtuar ai.

“Lëvizja Vetëvendosje është subjekti më politik, më social, më patriotik, por njëkohësisht është edhe subjekti më demokratik në Republikën e Kosovës”, ka thënë tutje Kurti.

I pyetur se a i fton edhe të dorëhequrit që të votojnë, Kurti ka thënë se secili anëtar e ka të drejtën për të votuar./Insajderi.com