Votimi në kushte të jashtëzakonshme i presidentit të ri

20.02.2016 14:01
Votimi në kushte të jashtëzakonshme i presidentit të ri

Edhe pse Kuvendi i Kosovës arriti dje që të miratojë një numër ligjesh, dhuna brenda dhe jashtë tij konfirmoi edhe një herë se zgjedhja e Hashim Thaçit si president i pestë i vendit do të bëhet në kushte të jashtëzakonshme.

Karriera politike e Hashim Thaçit – e filluar thuajse 20 vite më herët – ka shënuar përherë ngritjet e rëniet e veta.  Por, dëshira e tij që të bëhet i pari i vendit e ka vënë fuqinë e Thaçit në një nga testet më të rëndësishme deri më tani.

Kur ka mbetur edhe pak kohë që zgjidhja e presidentit të bëhet brenda afateve kushtetuese, polarizimi në mes të koalicionit qeverisës dhe opozitës ka arritur pikën e vlimit.

Dje në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës për këtë vit, nëntë deputetë u arrestuan ndërsa disa nga ta u tërhoqën me dhunë nga salla.

Derisa një kompromis mes dy kampeve nuk shihet askund në horizont, zgjidhja e presidentit të pestë të vendit duket se do të bëhet në rrethana të jashtëzakonshme.

Për më tepër, tri partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën – pretendojnë se zgjidhja e Thaçit në krye të vendit vetëm sa do të thellonte krizën politike në vend.

Të mbledhur jashtë objektit të Kuvendit të Kosovës, disa qindra protestues u shprehën të entuziazmuar se me protestën e tyre jashtë kuvendit dhe gazin lotsjellës brenda tij, kanë arritur që të shtyjnë për një kohë zgjidhjen e Thaçit si president.  Ata pretendojnë se Thaçi është figurë jounifkuese dhe si i tillë nuk mund të marrë një post i cili kërkon pikërisht unifikimin e qetarëve të vendit.

Një skenar i tillë si i djeshmit pritet të ndodhë edhe kur të thirret seanca për të zgjidhur presidentin.

Por, përveç kundërshtimit të opozitës, “Gjarpri” – që është nofka e tij gjatë kohës sa shërbente si Drejtor Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – është duke u përballur edhe me opozitë brenda vetë koalicionit qeverisës.

Disa nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë të qartë se nuk do të marrin pjesë në seancë kur pritet të bëhet zgjidhja e tij.  Kjo nënkupton që ai do të duhet të luftojë edhe për të krijuar një kuorum prej 80 deputetësh që duhet domosdoshmërisht për të qenë prezent në sallë.

Por, me gjithë sfidat, Thaçi insiston se për zgjidhjen e tij ka konsensus të gjerë politik në vend.

“Koalicioni që e mbështet këtë kandidaturë është shumë solid dhe përbën shumicën dërrmuese të Parlamentit. Pra, bëhet fjalë për një konsensus të gjerë” ka thënë Thaçi në intervistën e dhënë për gazetën Shqip javën e kaluar.

Për më tepër, ai zotohet se zgjedhja e presidentit do të bëhet në një proces të mirëfilltë politik.

“Ju garantoj se procesi ka për të qenë transparent dhe i besueshëm, duke i siguruar Kosovës një president që përmbush standardet më të larta të legalitetit dhe legjitimitetit”, ka shtuar ai.

Ai më herët ka përmendur edhe përkrahjen e Amerikës për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

Posti i presidentit i mundëson fuqi reale Thaçit…edhe për pesë vite të tjera

Një marrëveshje e arritur në fund të vitit 2014 me rivalin e tij kryesor, Lidhjen Demokratike të Kosovës, i dha një mundësi Thaçit që të qëndrojë në pushtet.

Edhe pse kishte dalë si fitues në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, ai u ballafaqua me katër parti opozitare që u bashkuan për ta larguar atë.  Një nga to ishte edhe LDK e Isa Mustafës.

Koalicioni mes dy partive kishte ardhur pas akuzave të rënda që të dy palët kanë thënë për njëra-tjetren.

Në rrethana të tilla, marrëveshja me Mustafën e detyroi Thaçin që ai të kënaqet vetëm me postin e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, dhe u bë zëvendës i Mustafës.

Por, një detyrë e re në presidencë nënkupton që Thaçi do të ketë fuqi më të madhe politike në vend.

Në fakt, edhe pse posti i presidentit shpesh thuhet se është një post ceremonial, Thaçi do të ketë mjaft fuqi reale, sidomos në fushën e politikës së jashtme.

Për më tepër, marrë parasysh se partia e tij vazhdon të jetë partia më e madhe në vend, Thaçi pritet se do të ketë edhe më shumë ndikim në politikën e vendit.

Një zgjedhje e tij në postin e presidentit po ashtu nënkupton që Thaçi t’i japë vetes një mundësi të mirë të përmirësimit të emri të tij, marrë parasysh faktin se në dy mandatet e qeverisjes së tij si kryeministër ishte akuzuar për dështime të shumta.

“Duke u larguar prej ekzekutivit drejt Presidencës, në kushtet kur kam fituar zgjedhjet, shpresoj të vendos një precedent domethënës dhe të jap një shembull të mirë për politikanët shqiptarë kudo që ndodhen,” ka thënë Thaçi ditë më parë.

Në rast se Thaçi arrin të zgjidhet, ai do të jetë presidenti i pestë i Kosovës pas Ibrahim Rugovës, Fatmir Sejdeiut, Behgjet Pacollit dhe Atifete Jahjagës. /Insajderi.com