“Votat nuk janë siguruar ende” – deputeti i LDK-së ka një kërkesë për VV-në

“Votat nuk janë siguruar ende” – deputeti i LDK-së ka një kërkesë për VV-në

Deputeti i LDK-së, Naser Osmani e ka cilësuar si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes mes partive politike për ratifikimin e demarkacionit. Ai e ka cilësuar si variantin më të mirë që të kalohet kjo pengesë në përmbushjen e kërkesave të BE-së për liberalizimin e vizave.

“Është lajm i mirë që partitë e koalicionit të pozitës janë pajtuar të përkrahet propozimi i LDK-së si varianti më i mirë i mundshëm që të kalohet kjo pengesë në përmbushjen e kërkesës së BE-së për liberalizimin e vizave, që do të ju mundësoj qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në shtetet e BE-së duke përfshirë edhe pesë shtetet qe nuk e kanë njohur Kosovën”, ka shkruar Osmani.

Por pavarësisht kësaj marrëveshje Osmani ka thënë se votat për ratifikimin e demarkacionit nuk janë siguruar ende. Ai ka bërë kërkesë që këto vota të sigurohen nga Lëvizja Vetëvendosje e jo nga Lista Serbe.

“Megjithatë përkundër kësaj marrëveshje dihet që nuk janë votat e mjaftueshme, do duhej që të bëhen ende përpjekje që të sigurohen edhe votat e tjera, jo nga Lista Serbe por nga Deputetet e VV, sepse në këtë mënyrë unifikohet faktori Shqiptarë, dhe nuk kushtëzohemi nga kërkesa e Deputeteve Serb për Asosacionin e Komunave Serbe në Kosovë”, ka shkruar Osmani në Facebook.