Vota ime shkon për Ibrahim Rugovën

24.03.2017 10:43

Krejt çka duhet të bëjë LDK-ja është që Ibrahim Rugovën ta nxjerr në krye të listës së kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme. Nëse e bën një gjë të tillë, votën e shumicës përfshirën timen e ka të garantuar. Do të votoj për Ibrahim Rugovë. Sigurisht edhe për Hazir Borovcin.

Vota ime shkon për Ibrahim Rugovën

Bashkëbisedimi i Hazir Borovcit me Ibrahim Rugovën ka shkaktuar shumë të qeshura këto ditë. Ama biseda ishte shumë serioze. Këtë seriozitet ia dha edhe më shumë komunikata e LDK-së në të cilën citohej ky bashkëbisedim.

Pra, nuk është për të qeshur me një gjë kaq serioze.

Zyrtari i LDK-së, kandidat në disa zgjedhje për deputet solli mesazhe prej varri për të ardhmen e Kosovës. Ky mesazh duhet të merret seriozisht – mos na prishni me Amerikën.

Pos mesazhit të drejtë që doli nga kjo mbledhi e LDK-së për të mos u prishur me Amerikën, çfarë mesazhi tjetër mori elektorati dhe votuesit potencial të kësaj partie?

Se, edhe në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen këtë vit, LDK-ja nuk e ka në plan të lëvizë nga “fryma rugoviane” duke futur si garantues fjalën e dhënë nga një i vdekur.

Se me këtë vdekur vite më parë, pra presidentin Ibrahim Rugova, LDK-ja garanton punësim, mirëqenie, paga më të mira, shkollim e shëndetësi më cilësore dhe ajo që është më e rëndësishmja – ruajtje të raporteve me Amerikën.

E si mos të votohet një parti e tillë, kur garantues futë fjalën e një të vdekuri vite më parë?

Nuk është për të mos u besuar këtyre premtimeve dhe këtij vizioni të qartë “rugovian”. Fjala e dhënë nga Ibrahim Rugova nuk ka së si mos të mbahet.

Nuk është kontestuese gjatë këtyre se LDK-ja gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet ka punuar në “frymën rugoviane”. Koalicioni me PDK-në që ka në barrë vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, është në këtë frymë.

Në këtë frymë të qartë e paqësore është mbështetur puna e kryeministrit Isa Mustafa. Tenderët për djemtë e tij. Kërcënimet e deputetëve që nuk mbështesin qëndrimin e partisë. Kërcënimet e gazetarëve dhe gjithë atyre që nuk mendojnë si kryeministri.

Në këtë “frymë rugoviane” ka vazhduar punën edhe Uka, i akuzuar për krim të organizuar dhe përfitimi kriminal në emër të të atit.

E pse të hiqet dorë nga kjo “frymë” që i ka sjell kaq të mira Kosovës, në bashkëqeverisje me “frymën gabovciane”? Bashkimi i këtyre dy filozofive, ka sjell kaq shumë rezultate.

E ardhme e lulëzuar na pret nëse vazhdon edhe më tej kjo qeverisje.

Në këtë frymë, nuk besoj se ka ndonjë votues që do të heq dorë nga ky bashkim filozofish për ta çuar Kosovën edhe më shumë drejtë Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së garantuar.

Të dy partitë në pushtet janë duke na dhënë garanci se nuk do të heqin dorë nga “fryma rugoviane” e zbatuar nga Isa Mustafa, dhe “fryma grabovciane” e zbatuar nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Krejt çka duhet të bëjë LDK-ja është që Ibrahim Rugovën ta nxjerr në krye të listës së kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme. Nëse e bën një gjë të tillë, votën e shumicës përfshirën timen e ka të garantuar.

Do të votoj për Ibrahim Rugovën. /Insajderi.com