Vllahiu: Haradinaj e kreu detyrimin kushtetues për njoftimin e ambasadorëve rreth demarkacionit

Vllahiu: Haradinaj e kreu detyrimin kushtetues për njoftimin e ambasadorëve rreth demarkacionit

Qëndrimet e kundërta rreth demarkacionit kanë shkaktuar edhe përplsje rreth kompetencave në fushën e politikës së jashtme në mes të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Zyra e Presidencës ka deklaruar se do të kërkojë llogari nga kryeministri Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit ua ka imponuar shefave të misioneve diplomatike të Kosovës që qëndrimin e tij për demarkacionin ta prezantojnë si qëndrim zyrtar.

Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit, ka thënë se se do të kërkohen sqarime nga kryeministri.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për gazetën Insajderi se kryeministri Ramush Haradinaj vetëm po kryen detyrimet e tij kushtetuese.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i Qeverisë ka thënë se kryeministri Haradinaj, bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore e kushtetuese dhe njëkohësisht edhe në sigurimin e një prezantimi unik në fushën e politikës së jashtme nga përfaqësuesit diplomatik të Kosovës, ka adresuar çështjen e demarkacionit dhe njoftimit te misioneve diplomatike për qëndrimin mbi këtë çështje.

“Mbi të gjitha qëndrimin për demarkacionin, kryeministri e ka bërë të qartë edhe në adresimin e tij në Këshillin e Stabilizim Asociimit në takimin e dytë në Bruksel javën e kaluar”, ka thënë Vllahiu për Insajderin.

Sipas tij, të gjithë akterët e brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë edhe të gjitha institucinet e vendit, janë të njohura me qëndrimin e kryeminstrit Haradinaj për demarkacionin dhe me aktin e shkarkimit dhe të emërimit të komisionit të ri.

Ndërsa, Bekim Çollaku ka theksuar se është normale që Qeveria e edhe kryeministri të japin udhëzime apo rekomandime për ambasadorët, në lidhje me ndonjë çështje të caktuar, por ka thënë se çdo qëndrim apo rekomandim i tillë që ndërlidhet me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, duhet patjetër të bëhet në konsultim dhe koordinim me presidentin. Ai ka thënë se kështu e përcakton Kushtetuta e Kosovës.

Ndryshe përmes Avni Arifit, shefit të tij të kabinetit, kryeministri Haradinaj u ka kërkuar diplomatëve t’i transmetojnë qëndrimet e reja për demarkacionin në takimet me diplomatët ku ata veprojnë.

Arifi në një korrespodencë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, dërgon udhëzimet që duhet t’ua shpërndajnë përfaqësuesve diplomatikë në botë.

“Me qëllim që të ngrisim nivelin e bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe unifikimit të qëndrimeve zyrtare rreth temave të ndjeshme, po ua përcjellë në vijim qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës për demarkacionin, jashtë të cilit nuk do të duhej të zgjerohemi në elaborate gjatë takimeve:

Qeveria ka thyer bllokadën dhe status-quon dy vjeçare lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përgjatë dy muajve, është bërë përparim thelbësor duke e lëvizur çështjen nga status-quo-ja në një proces që do të marrë kahje drejt zgjidhjes përfundimtare.

Meqenëse kjo çështje ndau qytetarët e Kosovës për dy vite, ne ndërmorëm masa të menjëhershme dhe:

Shkarkuam komisionin shtetëror të mëparshëm;

Emëruam një komision të ri profesional dhe apolitik;

Raportuam përpara komisioneve parlamentare përkatëse;

E përgatitëm shoqërinë;

Ndërkohë, veprime të tjera do të pasojnë menjëherë sapo komisioni i ri të dalë me gjetjet e tij deri në fund të këtij muaji. Ju garantoj se në këtë drejtim do të ndjekim standardet dhe praktikat e avancuara ndërkombëtare për të siguruar një epilog profesional”, shkruan shefi i kabinetit të kryeministrit në e-mailin e tij.