Vizitë në kohë tensionesh – Veseli në Tiranë

Vizitë në kohë tensionesh – Veseli në Tiranë

Kadri Veseli ka nisur ditën e hënë herët me një takim me homologun e tij në Shqipëri, Ilir Metën, në kuadër të një vizite që kryeparlamentari dhe kryetari i PDK-së ka nisur në Tiranën zyrtare.

Meta është takuar me Veselin pas një nate plot tension, pasi Partia Demokratike e Lulzim Bashës, braktisi Kuvendin e Kosovës, duke u rritur presioni ndaj tij për të qëndruar apo jo në koalicion qeverisës me Ramën.

Partia Demokratike e Shqipërisë vendosi braktisjen e Parlamentit sa kohë të zgjasë protesta dhe do kthehet vetëm nëse ka një zhvillim të lidhur me të.

Por dalja nga Kuvendi e PD përkon me dy javë të rëndësishme parlamentare të zbatimit të Vettingut, duke përcjellë kështu krizën në zyrën e kryetarit të Kuvendit, mbi të cilin po shtohet presioni të japë një qëndrim ndaj situatës së re politike.

Protesta e opozitës duket sikur po rikthen në skenën politike atmosferën e korrikut të vjetshëm, kur, përveç numrave për Reformën në Drejtësi, secili aktor po llogariste edhe numrat për një qeveri të re.

Ndërsa kryeministri Edi Rama e ka cilësuar protestën opozitare si përpjekje për të bllokuar reformën në drejtësi dhe për të shpëtuar nga ndëshkimi i Vettingut të korruptuarit në Pallatin e Drejtësisë

Gjatë vizitës, Veseli do të pritet në takime të veçanta nga udhëheqësit më të lartë të institucioneve shtetërore, presidenti Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

Sipas komunikatës të lëshuar nga zyra e Kuvendit të Kosovës, thuhet se temë diskutimi në takimet e Veselit me krerët e shtetit në Shqipëri do të jenë “marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në të gjitha sferat, në interes reciprok”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryeparlamentari do të takohet edhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, si dhe drejtues të partive opozitare, Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu./Insajderi.com