Vizitë historike e Ramës në Zvicër

31.03.2017 18:04

Presidentja Leuthard e ka quajtur historike këtë vizitë duke iu referuar faktit se ishte e para e një kryeministri shqiptar e realizuar në Zvicër në 24 vitet e fundit.

Vizitë historike e Ramës në Zvicër

Në kuadrin e vizitës së Kryeministri Rama me delegacionin qeveritar në Zvicër është bërë nënshkrimi i dy marrëveshjeve ndërshtetërore.

Ministrja për zhvillim urban e Shqipërisë, Eglantina Gjermeni dhe ambasadori Manuel Sager, drejtor federal i Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim  i Zvicrës kanë nënshkruar projektmarrëveshjen  për programin e zhvillimit regjional në Shqipëri.

Ndërsa ministrja për mirëqenie sociale  dhe rini e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka ka nënshkruar Projektmarëveshjen  për arsimin profesional në tregun e punës në Shqipëri. Nga ana zvicerane nënshkrues i kësaj marrëveshjeje ishte po ashtu Manuel Sager, drejtor federal i Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim  i Zvicrës.

Pas nënshkrimit ceremonial të marrëveshjes dy krerët e qeverive, Doris Leuthard dhe Edi Rama kanë bërë një paraqitje para gazetarëve me ç`rast kanë vënë në pah rëndësinë e kësaj vizite për të dy vendet.

Në cilësinë e nikoqires, presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Doris Leuthard ka thënë se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera. Ato mbështeten në mirëkuptimin dhe respektin reciprok. Zvicra është investuesi i gjashtë sipas rëndësie në Zvicër.

Ajo ka përmendur më tutje se në Zvicër jetojnë rreth 250 mijë veta që flasin shqip dhe kjo është një lidhje e fuqishme në mes të dy vendeve. Leuthard po ashtu ka folur edhe për kombëtaren zvicerane të futbollit e cila përbëhet nga një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve.

Ajo e ka quajtur historike këtë vizitë duke iu referuar faktit se ishte e para e një kryeministri shqiptar e realizuar në Zvicër në 24 vitet e fundit.

Zvicra ndihmon Shqipërinë në rrugën e saj të reformave 

Ndërsa kryeministri shqiptar, Edi Rama duke konfirmuar faktin se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera, ka përmendur edhe një të dhënë: në vitin 1935 është hapur përfaqësia e parë diplomatike e Shqipërisë në Zvicër. Edhe ai është ndërlidhur me karakterin historik të kësaj vizite dhe ka theksuar rolin që ka mërgata shqiptare në ngritjen e nivelit të këtyre marrëdhënie.

Të dyja palët theksuan gatishmërinë e tyre për të vazhduar për të forcuar lidhjet ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë, të cilat janë rritur më shumë në vitet e fundit. Delegacionet kanë përmendur në veçanti angazhimin e vazhdueshëm të Zvicrës në Shqipëri.

Zvicra do të ndihmojë Shqipërinë – pjesë e vendeve prioritare për bashkëpunim zhvillimor – për të kryer planet e saj për reforma në rrugën drejt integrimit evropian. Për Shqipërinë, Zvicra aktualisht është ndër vendet më të mëdha si donator bilateral. Gjatë takimit që u mbajt të premten, u nënshkruan dy marrëveshje mbi projekte për një shumë totale prej 10 milionë franga në fushën e formimit profesional dhe të decentralizimit.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu në reformën gjyqësore, e cila gjithashtu synon të përmirësojë klimën e investimeve në Shqipëri, bashkëpunimin për migrim , bashkëpunimin policor dhe situatën në Ballkanin Perëndimor. Delegacioni zviceran ka shprehur shqetësim rreth tensioneve dhe krizave që janë shtuar në rajon. Presidentja e Konfederatës ka mirëpritur në këtë kontekst rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe theksoi se sa e rëndësishme ishte për sytë e Zvicrës që Tirana vazhdon të veprojë si ndërmjetësuese.

Marrëdhëniet diplomatike në mes të dy vendeve janë vendosur në vitin 1970

Marrëdhëniet diplomatike mes Zvicrës dhe Shqipërisë janë vendosur në vitin 1970. Në vitin 1992 ose 25 vjet më parë , Zvicra hapi një ambasadë në Tiranë. Pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe një zhvillim pozitiv të marrëdhënieve ekonomike, tregtia midis Bernës dhe Tiranës mbetet relativisht modeste. Aktualisht, tridhjetë kompanitë zvicerane janë të pranishme në Shqipëri. Për më tepër, një konsorcium ndërkombëtar me seli në Zvicër merr pjesë në terren për të ndërtuar- Gazsjellësin Trans Adriatik për transportimin e gazit natyror.

Dy homologët u janë përgjigjur në vazhdim pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Ndër të tjera ata u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore në relacionin Zvicër Shqipëri, mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër etj.

Vizita e kryeministrit Rama me delegacionin vazhdon me takimin në Parlamentin e Zvicrës, gjegjësisht me kryetarin e tij, Jürg Stahl. /albinfo.ch