Viva Fresh arsyetohet se mishi i prishur ishte ndarë për asgjësim, jo për shitje

Viva Fresh arsyetohet se mishi i prishur ishte ndarë për asgjësim, jo për shitje

Rrjeti i marketeve “Viva fresh” ka dhënë një sqarim lidhur me shkrimet e publikuara në media për gjetjen e një sasie mishi të prishur në dyqanet e saj në Mitrovicë.

Gazeta Insajderi ka raportuar gjatë ditës për inspektimin që ka rezultuar me gjetjen e 573 kilogramë mish të prishur në qendrën e Viva Fresh në Mitrovicë.

“Mbetjet e mishit të gjetura në dyqanin tonë kanë qenë të grumbulluara në një vend të veçantë në depo, me destinim asgjësimin, sipas legjislacionit në fuqi. Pra nuk kanë qenë në shitje, dhe këtë gjë e dëshmon procesverbali i Inspektorit me nr.0995. Mbetjet e grumbullura për asgjësim kanë qenë të sinjalizuara që nuk janë për shitje, së bashku me disa produkte të tjera, të cilat poashtu kanë qenë në proces asgjësimi”, thuhet në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të kompanisë në Facebook.

Sips njoftimit, gjatë vizitës, Inspektorët e tregut kanë kontrolluar çmimet dhe nuk kanë hasur në asnjë problem.

“Inspektorët Sanitar-Veterinar kanë kontrolluar hapësirën shitëse ku nuk kanë gjetur asnjë produkt që nuk plotëson standardet e shitjes. Gjatë kontrollës, Inspektori ka vendosur që vetëm mbetjet e mishit të asgjësohen menjëherë”, thuhet më tej në njoftim.

Viva Fresh shprehet se garanton standardet më të larta të shitjes që parashikohen me ligjet në fuqi dhe standardet evropiane dhe siguron konsumatorët që përpjekjet e tyre janë të orientuara në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve në mënyrë të vazhdueshme.

Po ashtu gazeta Insajderi ka raportuar se inspektorët edhe në ambientet ku mbahet dhe prehet mishi në ETC, biznes i deputetit të LDK-së Ramiz Kelmendi, gjetën sasinë prej 550 kg mishi në gjendje jo të duhur.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me zyrtarët e Viva Fresh të cilët kanë bërë një njoftim publik lidhur me rastin, derisa zyrtarët e ETC-së nuk kanë kthyer përgjigje për gazetën.