Viti i mbrapshtë dhe dështimi i shtetit për t’i mbrojtur gazetarët

Asnjë vit nuk ka qenë më i vështirë për gazetarët sesa viti që po e lëmë pas. Shteti dështoi për të garantuar ambient të sigurt për punën e gazetarëve. Sugjeroi që gazetarët të pajisen me armë për ta mbrojtur veten. Ky është një hap i madh mbrapa në përpjekjet disavjeçare për të siguruar një ambient të sigurt për komunitetin e gazetarëve. Nga cenimi i lirisë së shprehjes tashmë situata ka eskaluar deri në cenim të integritetit fizik të gazetarëve.

Viti i mbrapshtë dhe dështimi i shtetit për t’i mbrojtur gazetarët

Viti 2017 ka marrë një epitet jo të mirë për komunitetin e gazetarëve. Konsiderohet si “Vit i mbrapshtë”.

Përpjekjet disavjeçare për të ndërtuar një ambient të sigurt për gazetarët rezultuan të pasuksesshme. Ishte viti kur institucionet u testuan se sa janë të gatshme dhe sa kanë vullnet për t’i mbrojtur gazetarët. Treguan se nuk kanë kapacitete dhe nuk kanë as vullnet për ta bërë këtë.

Kjo ndikoi që gazetarët e Kosovës të kenë një vit të vështirë, gjatë të cilit u përballën me sulme verbale, fizike e punë nën kërcënime.

Gjatë vitit 2017 janë regjistruar 38 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, duke shënuar kështu vitin më të rëndë për gazetarët, krahasuar me vitet e kaluara.

Në vitin 2016, AGK ka regjistruar 12 raste të kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa në vitin 2015 asociacioni ka regjistruar 15 raste, duke përfshirë kërcënimet, sulmet fizike, frikësimet dhe dëmtim të pronës.

Mes të cilave një rast u hedhjes së një mjeti shpërthyes në oborrin e Radio Televisionit të Kosovës dhe tjetra në shtepinë e drejtorit të RTK-së Mentor Shala.

Vetëm 5 vjet më herët situata ishte krejtësisht ndryshe. Në vitin 2013 nuk ishte regjistruar asnjë rast i kërcënimit ose dhunës ndaj gazetarëve.

Statistikat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) për vitin 2017 tregojnë të dhëna shqetësuese dhe një ambient tejet të rrezikshëm, sidomos për gazetarët e medieve online.

Gjendje po aq e rrezikshme është edhe për gazetarët e medieve të shkruara, ndonëse rastet e sulmeve ndaj tyre gjatë këtij viti janë më të rralla.

Prokuroria krenohet me punën e saj, AGK e pakënaqur

Zyrtarët shtetërorë nuk posedojnë të dhëna që shpërfaqin suksese të mëdha. Megjithatë, pohojnë se angazhimi që kanë bërë në këtë drejtim është për t’u krenuar.

Besim Kelmendi, prokuror në Prokurorinë e Shtetit, thotë se kjo dhunë ndaj gazetarëve është shumë shqetësuese.

Kelmendi thotë se është në kontakt edhe me gazetarët të cilët janë të dëmtuar, në mënyrë që t’i mbështesin në rast se kanë nevojë për ndihmën e tyre.

“Konsideroj se nga momenti kur janë caktuar koordinatorët për rastet e dhunës ndaj gazetarëve, ka ndryshuar në tërësi trajtimi i këtyre rasteve. Nga prokurorët që i kryejnë hetimet janë kryer veprimet hetimore shumë më shpejtë dhe për këtë ka pasur edhe rezultate konkrete për disa raste”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa për Petrit Çollakun nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ky vit ka qenë një nga vitet ku gazetarët hulumtues kanë qenë cak i sulmeve fizike.

“Një çështje që preokupon asociacionin tonë është mosndëshkimi i sulmuesve dhe kërcënuesve të gazetarëve. Po ashtu, është vërejtur se në disa raste dënimet kundër kryerësve të krimit ndaj gazetarëve janë ose me kusht ose me gjobë”, ka thënë Çollaku.

Çollaku thotë se kanë kërkuar nga policia që në hetimet e tyre në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve të zgjerohen hetimet kundër zinxhirit të plotë në sulme, që përfshinë nxitësit, organizatorët dhe kryerësit e krimit. Kjo kërkesë nuk është përfillur asnjëherë nga Policia e Kosovës.

Format e presionit ndaj gazetarëve: Rrahje e kërcënime

Rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve kanë qenë të ndryshme.

Disa prej tyre janë kërcënuar gjatë raportimeve në terren duke u penguar në punën e tyre, sikurse në rastin e gazetarit të portalit “Kallxo.com, Taulant Osmani.

Ai u sulmua nga disa qytetarë teksa raportonte nga një protestë, ku po e përcillte një diskutim ndërmjet dy personave në sheshin e Gjilanit.

Sulmuesit ishin identifikuar brenda ditës dhe ndaj tyre prokurori pati shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Rasti vazhdon të jetë nën hetime.

Disa të tjerë janë kërcënuar pas raportimeve të ndryshme që kanë bërë, sikurse rasti i gazetares së gazetës “Koha Ditore”, Salie Osmankaq. Ajo u kërcënua nga “uzurpatorët” e banesave në lagjen “Dardania”, në Prishtinë.

“Banorët janë versulur drejte meje mënjëherë dhe iu kemi shmangur sulmit fizik duke hyrë në veturë”, pati treguar se si ndodhi rasti gazetarja Osmankaqi.

AGK ka njoftuar se në bazë të informative nga policia ky rast ende vazhdon të jetë nën hetime.

Vetë gazetarët kanë organizuar protesta për të dënuar sulmet, por edhe për të kërkuar më shumë mbrojtje.  Por, ato ranë në vesh të shurdhër. Mungesa e një sistemi të drejtësisë që dënon kërcënuesit dhe sulmuesit i dha edhe më shumë zemër atyre që t’i sulmojnë gazetarët edhe fizikisht në rrugë.

Kësisoj, sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2017 u bënë edhe më të rënda. Sidomos ndaj gazetarëve hulumtues të cilët zbardhën të vërteta të mëdha.

Drejtori ekzekutiv i Gazetës Online Insajderi, Parim Olluri, u sulmua në gusht të këtij viti derisa ishte duke shkuar në shtëpi me të fejuarën e tij.

Ai u sulmua pas publikimit të një serie hulumtimesh për ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vënë në pah pasurimin e tyre. Po ashtu, gjatë këtij viti ai publikoi edhe shumë shkrime për tenderët e majmë të fituar nga kompani private, të lidhura me politikanë të fuqishëm.

Katër muaj pas sulmit ndaj tij, policia ka arritur vetëm të zbardhë fytyrat e tyre të xhiruara nga kamerat e sigurisë në rrugën “Bajram Kelmendi” ku edhe ka ndodhur sulmi. Por nuk ka arritur t’i identifikojë dhe t’i arrestojë ata.

Ky është llogaritur të jetë një prej rasteve më eklatante të dështimit të institucioneve të shtetit për t’i kapur sulmuesit e gazetarëve në Kosovë.

Por, në Policinë e Kosovës thonë se ata po bëjnë gjithçka që t’i kapin sulmuesit e gazetarëve.

Ata deklarohen të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë personave, përfshirë edhe gazetarët.

Insajderi kërkoi nga Zyra për media e Policisë së Kosovës të dhëna konkrete të suksesit të tyre në betejën për ndëshkimin e sulmuesve të gazetarëve.

Nuk treguan të dhëna specifike.

Por, të dhënat publike tregojnë se edhe ata sulmues që janë kapur, janë liruar nga gjykata, duke u dënuar minimalisht.

Kolegu i Ollurit, kryeredaktori i Gazetës Online Insajderi, Vehbi Kajtazi u sulmua nga Fitim Thaqi në pikë të ditës midis qytetit teksa po pinte kafe.

Sulmuesi është një person i afërt me shumë njerëz për të cilët kishte raportuar Kajtazi.

Thaqi është i afërt me ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla, i akuzuar për krim të organizuar dhe deputetin e NISMA-s, Milaim Zeka, i cili akuzohet për mashtrim me viza punë në Gjermani të 920 kosovarëve.

Për dallim nga rasti i Ollurit, ku sulmuesit janë zbardhur por jo identifikuar dhe kapur, sulmuesi i Kajtazit është identifikuar nga vetë gazetari i cili me kërkesë të policisë është vetë-dorëzuar.

Por, sulmuesi nuk qëndroi shumë në burg. Ai u lirua shpejt duke u dënuar vetëm me burgim me kusht.

Marrë për bazë se viti 2017 po kryhet si një vit jashtëzakonisht i vështirë për të gjithë gazetarët në Kosovë, paaftësia e organeve që t’i kapin sulmuesit dhe mungesa e dënimeve nga organet e drejtësisë, nuk lënë vend për shpresa që 2018-ta do të jetë një vit më i mirë për gazetarët.

Nga kjo del se shteti tashmë është dorëzuar në betejën për të mbrojtur gazetarët. Në dy raste të ndara ka sugjeruar që gazetarët Parim Olluri dhe Vehbi Kajtazi të marrin armë me leje për ta mbrojtur veten në raste të sulmeve fizike.

“Mbrojtja e vetme ka mbetur që të jesh një gazetar i armatosur. Kjo ndodh vetëm në vendet e sunduara nga bandat mafioze. Kosova nuk duhet të jetë e tillë”, thotë gazetari Olluri. /Insajderi.com

Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian përmes skemës së granteve të vogla “Mbrojtja e Lirisë së Mediave dhe Lirisë së Shprehjes në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve Kroat, si pjesë e projektit rajonal Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, në partneritet me gjashtë asociacione rajonale të gazetarëve-Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS), Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Asociacioni i Gazetarëve Kroat (CJA), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK), Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) dhe Sinidikata e Mediave të Malit të Zi.