Visar Ymeri përkrah deklaratën e Kurtit rreth gjasave për luftë

23.09.2016 22:23

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ndan mendimin e njëjtë me deputetin e partisë së tij, Albin Kurtin, rreth gjasave që në Kosovë të ketë luftë në katër apo pesë vitet e ardhshme. Ymeri ka thënë se Kurti dhe asnjë aktivist tjetër i VV-së nuk ka bërë thirrje për luftë.

Visar Ymeri përkrah deklaratën e Kurtit rreth gjasave për luftë

Ymeri, i ftuar në emisionin “Argument Plus” në Televizionin 21, ka përkrahur deklaratën e dhënë nga Kurti më 20 shtator në Tiranë.

Ai ka shpjeguar këtë qëndrim të tij dhe ish-liderit të VV-së, duke thënë se mundësia për luftë në të ardhmen e afërt vjen si pasojë e situatës aktuale të shtetit të Kosovës.

“Çfarëdo cenimi territorial ne cilin do vend të botës e rrit mundësinë e luftës. Natyrisht kjo nuk është luftë drejt paqes, por është luftë drejt luftës. Unë po them që nëse vazhdohet kështu me zhvillimet në rajon, sidomos në Bosnje, dhe me këtë insistim që Republika e Kosovës t’i nënshtrohet vendeve në rajon, atëherë rruga e Kosovës nuk është e qetë”, ka thënë Ymeri, raporton Insajderi.

I pari i VV-së deklaroi edhe një fakt tjetër që sipas tij, rrit mundësinë e luftës.

“Lëvizja e kufirit shpeshherë ka dërguar tek lufta, dhe këtë nuk e themi ne por e thonë faktet, prandaj po themi se ka mundësi lufte”, ka thënë Ymeri.

Derisa tri ditë më parë, ish-lideri i VV-së, Albin Kurti ka shfrytëzuar një takim në kryeqytetin shqiptar, për të dhënë parashikimin e tij se nëse situata e njëjtë e demarkacionit me Malin e Zi vazhdon, në Kosovë mund të ketë luftë.

“Kufiri është çështje e ndarjes së territorit. Nuk kemi tokë për të falur. Në atë tokë është derdhur gjak dhe ne s’kemi gjak për të falur. Thaçi dhe Mustafa të japin dorëheqjen. Në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë”, citohet të ketë thënë Kurti. /Insajderi.com