Visar Ymeri i kundërpërgjigjet Besnik Bislimit: Vërtetë më çuditë!

05.06.2018 20:57
Visar Ymeri i kundërpërgjigjet Besnik Bislimit: Vërtetë më çuditë!

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tanimë anëtar i Partisë Socialdemokrate, i është kundërpërgjigjur ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Bisnik Bislimi, i cili përmes një letre publike ka shprehur zhgënjimin e tij ndaj Ymerit duke e akuzuar se ka tentuar ta dëmtoi VV-në.

Ymeri, ka paraqitur qëndrimin e tij në tri elementet të intervistës së tij për “Zona B” të Klan Kosovës, të përmendura nga vet Bislimi, të cilat siç është shprehur ai “do të mbeten në kujtesë për degradimin komplet të cilit vullnetarisht iu nënshtrove mbrëmë”.

“Letra jote për mua, si mik që më vlerëson, e përmbledh pak a shumë tërë fantazmagorinë e identifikimit të një komploti global për ta shkatërruar Lëvizjen, komplot ky të cilin Albini e kishte ‘zbuluar’ kohë më parë dhe pastaj e kishte shpërndarë gjithandej ndër aktivistë, herë me gjysëm të vërteta e herë me insinuata, më së shpeshti me trillime të kulluara për ‘gjetje’ e ‘situata’ që ia konfirmonin atij këtë zbulim epokal të armikut të brendshëm. Të njëjtën po e vazhdon edhe ti. Një rrëfenjë e tillë komplotiste, nuk është e re në praktikën politike. Kemi parë të tilla në histori, por edhe në aktualitet. Jo vetëm te ne, por edhe në pjesë tjera të botës. Por veçanërisht te ne. Dhe këtu Albini, e tash edhe ti, e keni gjetur metodën. Natyrisht se me cilësinë aktuale të arsimit që kemi në vend, asnjë shpjegim shkencor nuk kuptohet. Vetëm komploti. Por fatkeqësisht jo vetëm te ne. Ky po shndërrohet në fenomen global. Sot është shumë e vështirë që të mirëmbahet çfarëdo shpjegimi shkencor e strukturor për gjendjen në të cilën jetojnë shumica e shpronësuar dhe arsyet që e kanë shkaktuar këtë gjendje. Shumë më tepër, sepse shumë më e thjeshtë dhe shumë më e lehtë, kuptohet teoria e komplotit. Siç e ke thënë edhe ti, ta zëmë për sistemin fiskal, thjeshtësia (sheshtësia) e tij e lehtëson menaxhimin, e ul koston, dhe e rritë efikasitetin. Prandaj edhe kjo teoria juaj e komplotit është e disejnuar për t’i përmbushur këto kritere, me menaxhim të lehtë, kosto të ulët dhe efikasitet të lartë. Por e vërteta gjithnjë është ndryshe. Nuk është lehtë e arritshme e as e pranueshme, nuk garanton efikasitet në shpërndarje sepse është vështirë e riprodhueshme në formë slloganesh. Pra është shumë më komplekse”, ka shkruar Ymeri, profilin e tij në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Ky anëtar i PSD-së ka ndarë kritika ndaj Bislimit edhe për mënyrën e të menduarit se partia e tyre ka lidhje me televizionin Klan Kosova dhe drejtuesin e tij Baton Haxhiu.

“Së pari kjo mënyrë e të menduarit që po e aplikon edhe ti tash, që paraqitja në një emision të caktuar, në këtë rast në Klan Kosova te Baton Haxhiu, na qenka dëshmi e qartë e lidhjes mes nesh, ose e nënshtrimit të vullnetshëm timit ndaj dëshirës së Batonit, është jashtëzakonisht problematike. Sipas teje secila paraqitje jona në këtë emision qenka shfrytëzim yni për ta dëmtuar LVV-në. Sepse, për ta vazhduar këtë logjikë të Albinit, Baton Haxhiu është ai që ka investuar për shkatërrimin e LVV. Dhe i cili po vazhdojka ta bëjë një gjë të tillë duke u ofruar hapësirë anëtarëve të PSD-së. Po kur Batoni e thërret Glauk Konjufcën në emision, dhe ky i fundit e nxjerrë tërë vrerin ndaj PSD-së? Kjo është në rregull apo jo. Batoni me brirët e djallit për atë një orë të emisionit i nxjerrë krahët e engjëllit, apo jo Besnik”, tha Ymeri.

  • Më poshtë ju sjellim të plotë kundërpërgjigjen e Ymerit ndaj Bislimit:

I nderuar Besnik (Bislimi),

Së pari më vjen shumë keq që këtë bisedë po më duhet ta bëjë me ty (njeriu i fundit nga ata që kanë mbetur në Lëvizjen VETËVENDOSJE! me të cilin kisha pritur ta zhvilloj një bisedë të tillë). Po ja që këtë radhë ty të qenka caktuar detyra të reagosh. Mirë. Të flasim.

Letra jote për mua, si mik që më vlerëson, e përmbledh pak a shumë tërë fantazmagorinë e identifikimit të një komploti global për ta shkatërruar Lëvizjen, komplot ky të cilin Albini e kishte ‘zbuluar’ kohë më parë dhe pastaj e kishte shpërndarë gjithandej ndër aktivistë, herë me gjysëm të vërteta e herë me insinuata, më së shpeshti me trillime të kulluara për ‘gjetje’ e ‘situata’ që ia konfirmonin atij këtë zbulim epokal të armikut të brendshëm. Të njëjtën po e vazhdon edhe ti. Një rrëfenjë e tillë komplotiste, nuk është e re në praktikën politike. Kemi parë të tilla në histori, por edhe në aktualitet. Jo vetëm te ne, por edhe në pjesë tjera të botës. Por veçanërisht te ne. Dhe këtu Albini, e tash edhe ti, e keni gjetur metodën. Natyrisht se me cilësinë aktuale të arsimit që kemi në vend, asnjë shpjegim shkencor nuk kuptohet. Vetëm komploti. Por fatkeqësisht jo vetëm te ne. Ky po shndërrohet në fenomen global. Sot është shumë e vështirë që të mirëmbahet çfarëdo shpjegimi shkencor e strukturor për gjendjen në të cilën jetojnë shumica e shpronësuar dhe arsyet që e kanë shkaktuar këtë gjendje. Shumë më tepër, sepse shumë më e thjeshtë dhe shumë më e lehtë, kuptohet teoria e komplotit. Siç e ke thënë edhe ti, ta zëmë për sistemin fiskal, thjeshtësia (sheshtësia) e tij e lehtëson menaxhimin, e ul koston, dhe e rritë efikasitetin. Prandaj edhe kjo teoria juaj e komplotit është e disejnuar për t’i përmbushur këto kritere, me menaxhim të lehtë, kosto të ulët dhe efikasitet të lartë. Por e vërteta gjithnjë është ndryshe. Nuk është lehtë e arritshme e as e pranueshme, nuk garanton efikasitet në shpërndarje sepse është vështirë e riprodhueshme në formë slloganesh. Pra është shumë më komplekse.

Sidoqoftë, ju mbase edhe e besoni që e keni kapur të vërtetën për këtë gjë. Por a nuk e keni menduar asnjëherë të paktën 1% mundësie që Albini të ketë pasur faj po ashtu. A ka 1% gjasë kjo? Apo jo.

Të kalojmë te pikat. Natyrisht që nuk e kam ndërmend të riprodhoj këtu biseda që i kemi zhvilluar mes nesh, me këtë metodën ‘ti më ke thënë, e unë të kam thënë’. Pra nuk do të bëjë si ti.

Së pari kjo mënyrë e të menduarit që po e aplikon edhe ti tash, që paraqitja në një emision të caktuar, në këtë rast në Klan Kosova te Baton Haxhiu, na qenka dëshmi e qartë e lidhjes mes nesh, ose e nënshtrimit të vullnetshëm timit ndaj dëshirës së Batonit, është jashtëzakonisht problematike. Sipas teje secila paraqitje jona në këtë emision qenka shfrytëzim yni për ta dëmtuar LVV-në. Sepse, për ta vazhduar këtë logjikë të Albinit, Baton Haxhiu është ai që ka investuar për shkatërrimin e LVV. Dhe i cili po vazhdojka ta bëjë një gjë të tillë duke u ofruar hapësirë anëtarëve të PSD-së. Po kur Batoni e thërret Glauk Konjufcën në emision, dhe ky i fundit e nxjerrë tërë vrerin ndaj PSD-së? Kjo është në rregull apo jo. Batoni me brirët e djallit për atë një orë të emisionit i nxjerrë krahët e engjëllit, apo jo Besnik.

E tash vërtetë, të kalojmë te pikat.

1. Paskeni porositur sondazh. Shumë mirë. Dhe paskeni bërë matje edhe për ne. Mirë. Besoj edhe për partitë tjera. Dhe aty paskemi dal 2%. Mirë edhe kjo. Në fillim të prillit! Edhe në deklarimet e Albinit e edhe në letrën tënde një gjë është indikative megjithatë. E paraqisni VV vetëm në raport me PSD (e në fillim të prillit as që kemi qenë PSD). Dhe i gëzoheni faktit që keni dal më lartë se PSD. Për këtë ju uroj. Natyrisht se do të ketë edhe shumë sondazhe tjera. Dhe në fund rezultat zgjedhor. Shumë ujë do të rrjedh nën urë. Por ky diskurs juaji megjithatë nxjerrë në pah disa çështje të rëndësishme. Së pari, meqenëse qenkemi kaq të vogël, e të parëndësishëm, siç po thoni, atëherë pse shpenzoni energji kot të merreni me ne. A nuk është problem për ju se si LDK e PDK po dalin më lartë në sondazhe? Pra problem i vetëm që e paskeni me skenën politike në Kosovë qenka PSD? Kjo është e çuditshme për mua. Është shumë JO VETËVENDOSJE! Për më tepër në këtë drejtim, diskursi juaj aktual më shumë është i përqendruar te përqindja e vogël e PSD se sa te përqindja e VV. Edhe në sondazhin që e ke publikuar shihet se VV është te 21.7%. Nga 27% përqind para më pak se 1 viti. A nuk është brengosëse kjo për ju? Apo për ju tash nuk ka rëndësi se a fiton VV. E rëndësishme qenka të humb PSD. Pikërisht kjo është logjika ekonomike e financës (ekonomia e financializuar), e cila bazohet në smirë (beggar thy neighbor policy), për dallim prej logjikës së ekonomisë së prodhimit e cila bazohet në ego. Pra te ekonomia e financializuar politikat nuk orientohen për ta lartësuar pozicionin ekonomik të vetes, por për ta ulur atë të tjetrit. Smirë. Kjo është përgjithësisht praktika politike e neoliberalizmit. E ke gjetur veten Besnik 😌

2. Edhe sot VV është bërë bashkë me PDK dhe LDK në asamblenë komunale në Prishtinë. E ke plotësisht të kotë këtë arsyetimin se si VV qenka duke u kujdesur që ta kontrollojë kryetarin Ahmeti, sepse ky i fundit nuk po e zbatojka më programin e VV-së për Prishtinën. Është i kotë sepse absolutisht i pavërtetë. A e din çka kanë votuar për herë të parë VV+PDK+LDK në asamble komunale në Prishtinë? Shkarkimin e një anëtari të bordit të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore? Dhe a e di pse? Sepse ky bord i aksionarëve është angazhuar që ta zgjedh ligjërisht dhe sipas procedurës, Drejtorin e Ndërmarrjes. A e din pse? Sepse të fundit i ka skaduar mandati tash e dy muaj. Dhe i njëjti po refuzon ta lëshojë zyren duke e mbajtur atë dhunshëm. A e din kush është ky drejtor Besnik? Nexhat Kryeziu. Bisedën e të cilit me Liridon Latifin e dëgjova sot në Insajder. A e din për çfarë flisnin? Ndanin lokale për miq e dashamirë, dhe anulonin konkurse kur miqtë e dashamirët e tyre nuk i fitonin lokalet. Tash ky bashkim i VV me PDK dhe LDK po merr kuptim. PDK e ka kapur shtetin. LDK e ka pasur të kapur një pjesë të madhe të Komunës së Prishtinës. Pra bashkimi i tyre kundër Shpendit edhe në të kaluarën edhe në të tashmen nuk më çudisin. Është bashkim për kapje. Bashkimi i VV-së më çudiste. Deri sot. Tash po e shoh. Edhe ky qenka bashkim për kapje. Dhe këtë po e mbronë ti? Edhe kjo më çuditë.

3. Në të vërtetë është pikërisht e kundërta. Sa herë kemi folur për VV ne kemi folur vetëm për atë që ne e kemi parë si devijim të VV, e veçanërisht të disa njerëzve aty. Asnjëherë nuk kam përgjithësuar. Asnjëherë nuk kam thënë që VV është e keqja e këtij vendi, apo që VV-në e kam kundërshtarë. Këto i ka thënë Albini për ne, secilin prej nesh. “Kundërshtarët e rinjë, bashkë me ata të vjetrit”, siç e kam dëgjuar të thotë. Kështu që vërejtjet që i ke potencuar te pika 3 janë pikërisht për kreun e VV-së. Sa për ne, prapë jemi të interesuar të bashkëpunojmë për të gjtiha çështjet për të cilat kemi mendime e qëndrime të ngjashme. Por në këtë bashkëpunim eventual, aman mos na e sillni edhe PDK-në. Sepse kështu na pamundësohet të bashkëpunojmë. As kapjen e ndërmarrjeve. Edhe kjo na e pamundëson bashkëpunimin.

Të përshëndes Besnik. Kërkoj ndjesë që e zgjata. Konsideroj që ka qenë e nevojshme. Sepse shkruajte ti. Përndryshe nuk do të flisja për çështje të tilla. Më mirë do të kishte me qenë të diskutojmë për çështje. Edhe këtu mund të kemi mospajtime. Gjë që është plotësisht në rregull. Nga këto mospajtime për qëndrime e çështje mund të përfitojmë të dyja palët. Por jo. Ju po insistoni që të diskutojmë për njerëzit. “Unë të thashë e ti më the”. Nga ti? Vërtetë më çuditë!