Vini drejtësi, kallni odat e Kanunit

08.03.2018 22:56

Gjykata e Apelit, ashtu sikurse në rastin e vrasjes së Zejnepe Berishës që ia kishte rritur dënimit burrit të saj nga 12 në 17 vjet, e ka rastin që të vë drejtësi për Donjeta Pajazitin. Me një rikthim të rastit në rigjykim ose një hulumtim më i thellë i fakteve, Apeli mund ta kallë odën e Strellcit dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit

Vini drejtësi, kallni odat e Kanunit

Të zhgënjyera deri në palcë, nëna Lumnie dhe motra Vonesa, e Donjeta Pajazitit pozojnë para billbordit me mbishkrimin “Edhe sa thirrje të humbura”. Ky është një nga tre billbordet e vendosura në Prishtinë pak metra para Stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë. Një billbord tjetër mban emrin e Zejnepe Bytyqit dhe Diana Kastratit, vrasësi i së cilës është ende i lirë në Spanjë.

Pasi kanë marshuar në protestën për më shumë të drejta të grave dhe drejtësi për dhunuesit e vrasësit e tyre, Lumnia dhe Vonesa janë kthyer në vendlindjen e tyre, fshati Strellc i Deçanit.

Motra Vonesa dhe nëna Lumnije e Donjeta Pajazitit

Aty dhimbja është edhe më e madhe. Para dy ditësh, Gjykata Themelore e Pejës e liroi nga burgu kushëririn e tyre, Naser Pajazitajn, i cili dyshohej se në nëntor të vitit 2015 ia vrau me dy plumba vajzën 24-vjeçare Donjeta Pajazitin.

Ato nuk janë pajtuar me këtë vendim, andaj janë ankuar dhe po presin vendimin e Gjykatës së Apelit e cila tash është shpresa e tyre e vetme dhe e fundit. Por teksa kjo shpresë dalëngadalë po vyshket duke e humbur tashmë komplet besimin në sistemin e drejtësisë në Kosovë, nëna dhe motra e Donjeta Pajazitit do të duhet të durojnë edhe një “gjyq” tjetër. Atë të odave.

E ky “gjyq” i prapambetur që ka mbetur nga koha kur shqiptarët udhëhiqeshin prej Kanunit të Lekë Dukagjinit, një libër me rregulla jashtëzakonisht provinciale që shkelin deri në palcë të drejtat e njeriut, fatkeqësisht si pasojë e mungesës së ligjit po vazhdon të funksionojë ende.

Se vrasja makabre e Donjetës do të trajtohet edhe në oda e ka thënë edhe Murati, vëllai i të akuzuarit por i liruar nga akuza, Naser Pajazitajt.

“Tuj u grumbullu oda është. Tashti këto punë shkojnë sikur kanë qenë përpara. Njëherë ka qenë derisa të vendosë gjykata – qysh, çka.. – tani këta janë”, ka thënë Murati.

Kjo tregon se në çfarë gjendje të tmerrshme është shoqëria kosovare. Fakti që krahas drejtësisë së gjykatave të bazuara në ligjet të cilat së paku në letër i trajtojnë njerëzit si njerëz e jo bazuar në gjininë e tyre, shumë qytetarë të këtij vendi e bëjnë edhe drejtësinë e Kanunit, tregon se jetojmë në një shoqëri skajmërisht të paaftë për t’i besuar ligjit.

Donjeta më 9 nëntor 2015, ditën kur u zhduk, për tu gjetur e vdekur dhe e mbuluar me drurë, një muaj e gjysmë më pas, breg një mali në Strellc. Trupi i saj ishte kalbur. I kishte mbetur  vetëm skeleti kur ishte gjetur.

                          
Donjeta Pajaziti

Sipas aktakuzës Naser Pajazitaj, kishte qenë me veture në atë kohë, e kishte marrë të ndjerën dhe kishte dërguar në bjeshkët e Strellcit duke e goditur me dy plumba në kokë. Pas vrasjes së të ndjerës, Naser Pajazitaj e kishte mbuluar trupin e saj me disa drunjë dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Por Gjykata Themelore e ka dënuar atë vetëm për armë mbajtje pa leje, me 2 vite e gjysmë, të cilat qëlluan të jenë saktë aq sa edhe ka vuajtur në paraburgim.

I njejti ka një të kaluar kriminale. Ai e kishte vrarë  kushëririt të tij në vitin 1992. Ish-Gjykata Ushtarake e Jugosllavisë e kishte dënuar me burg. Gjykata e Themelore në Pejë, ka vendosur se nuk ka gjetur prova se ai e ka vrarë edhe Donjetën.

Historitë e drejtësisë së gjykatave kosovare mbi të gjitha tregojnë një gjë: se është vet shteti që po e mbanë gjallë drejtësinë e prapambetur të Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Nuk është e rëndësishme që familja e të akuzuarit tash të liruar për vrasjen e Donjetës pas “drejtësisë” së gjykatës e pret edhe drejtësinë e odave dhe Kanunit. E rëndësishme është që shteti, duke filluar nga komuna ku jeton familja e Donjetës e deri tek Qeveria që administron jetën e tyre kanë dështuar të instalojnë një sistem të tillë që deri më tani do të duhej ta shpallte të vdekur, ligjin e Kanunit.

Në vend të drejtësisë me ligj, vrasja e Donjeta do të trajtohet me Kanun, rregullat e së cilës gjakun e bëjnë më të rëndësishëm se njeriun. Një arsye e pështirë për një shoqëri e cila tregon se ka dështuar të krijoj një shtet të së drejtës.

Dhe normalisht kur njerëzit që përfitojnë nga sistemi i dështuar i drejtësisë në Kosovë, ata bëhen propaganduesit më të mëdhenj të të jetuari me rregullat e turpit.

Por të ndalemi edhe pak të burrnia. E gjithë dhoma ku është bërë falja e gjakut shihet të jetë e mbushur me burra.

Kur vëllai i të akuzuarit se ka vrarë Donjeta thotë “po mblidhen burrat” tregon shumë për mendësinë e shoqërisë tonë. Ne ende jetojmë me Kanun.

E ajo çfarë dihet është se me Kanun, gratë dhe fëmijët vuajnë më së shumti. Jo për shkak se janë të rrezikuar (Pasi Kanuni nuk e njeh si të barabartë gruan e as fëmijën me njeriun, madje i trajton si pronë ase barrë) por sepse duke qenë të pavlerë në këtë shoqëri, vuajnë pasojat e burrnisë dhe akteve burrnore.

Në të njëjtën kohë, dëshmohet se edhe i gjithë shteti jeton në këtë koncept të pështirë të burrnisë që është krijuar me shumë ndikim nga Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Pra një sistem i drejtësisë që nuk e njeh gruan si njeri as vuajtjet e saja si njerëzore por si diçka që varet komplet nga burri dhe aktet burrnore të tij.

Akte që i mbështet shteti. Madje i proklamon si të tilla në atë që e quajnë Republikë të drejtës për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Të së drejtës në secilin kuptim.

E në fakt, kjo Republikë nuk është gjë tjetër pos një Republikë e Kanunit, e burrnisë dhe e turpit.

Gjykata e Apelit, ashtu sikurse në rastin e vrasjes së Zejnepe Berishës që ia kishte rritur dënimit burrit të saj nga 12 në 17 vjet, e ka rastin që të vë drejtësi për Donjeta Pajaziti. Me një rikthim të rastit në rigjykim ose një hulumtim më i thellë i fakteve, Apeli mund ta kallë odën e Strellcit dhe Kanunin e Lekë Dukagjinit./Insajderi.com