Vikingur – Trepça ‘89: Koha e ndeshjes, transmetimi dhe informacione të tjera

Vikingur – Trepça ‘89: Koha e ndeshjes, transmetimi dhe informacione të tjera

Të martën kampionia e Kosovës në futboll, Trepça ’89, do ta përfaqësojë për herë të parë futbollin kosovar në fazën para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Mitrovicasit do të përballen me skuadrën nga Ishujt Faroe, Vikingur.

Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:00 në stadiumin Torsvollur të kryeqytetit të Ishujve Faroe, Torshavn, raporton Insajderi.

Trepça ’89 ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në Ishujt Faroe, para sfidës së nesërme.

Gjyqatrët e takimit

Ndeshja Vikingur – Trepça ’89 do të drejtohet nga gjyqtarë estonezë. Kryesori që do të ndajë drejtësinë në fushë është Juri Frischer.

Tre gjyqtarët e tjerë: Dmitri Vinogradov, Aron Härsing dhe Kristo Tohver.

Transmetimi televiziv

Prezantimi i parë i një skuadre kosovare në Evropë duket se do të kalojë në “terr televiziv”.

Siç ka raportuar sot Gazeta Olle, asnjë nga televizionet kosovare nuk ka blerë të drejtat për transmetimin e ndeshjes Vikingur – Trepça ’89.

Por, ndeshja në fjalë pritet të transmetohet në televizionet e Ishujve Faroe.

Përfitimi financiar

Trepça ’89 do të përfitojë nga UEFA pas pjesëmarrjes në turin e parë parakualifikues të Ligës së Kampionëve, këtë edicion.

Skuadra mitrovicase, e cila do të përballet me skuadrës nga Ishujt Faroe, Vikingur, do të përfitojë 220 mijë eurot edhe nëse eleminohet në turin e parë të kësaj gare, raporton Insajderi.

Nëqoftëse skuadra kosovare arrin ta eliminojë Vikingur-in, atëherë do të përfitonte edhe 320 mijë euro të tjera nga pjesëmarrja në turin e dytë para-eleminator të Ligës së Kampionëve. /Insajderi.com