Vihet gurthemeli për ndërtimin e fshatit social në Gjilan

19.08.2017 15:13
Vihet gurthemeli për ndërtimin e fshatit social në Gjilan

 

Është vënë gurthemeli për kompleksin e fshatit social prej disa objektesh, i cili në vete do të ketë Qendrën për Fëmijët e Braktisur, Çerdhen, Ambulanten, Menzen, Hapësirën Rekreative dhe Sportive, pastaj Shtëpinë e Pleqve dhe objekte të tjera përcjellëse në Komunën e Gjilanit.

Ndërtimi i këtij objekti do të kushtojë mbi 2.5 milionë dollarë dhe është investim i Komunës së Gjilanit dhe donatorëve nga Kuvajti.

Në vënie të këtij gurthemeli u tha se ky është projekti më i madh i këtij lloji në Kosovë dhe se është një projekt i integruar dhe gjithëpërfshirës.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ndërtimi i këtij objekti po bëhet për kategoritë që në Gjilan kanë nevojë më së shumti ta kenë mbështetjen e institucioneve.

Haziri: Këto kategori janë ato që ne do të duhej çdo kohë me i pas nën kujdesje

“Sot në praninë tuaj dhe në dëshminë tuaj po fillojmë ndërtimin e objektit dhe infrastrukturës për kategoritë që në Gjilan kanë nevojë me pas mbështetjen e institucioneve, mbështetjen e njerëzve dhe të shtetit. Këto kategori janë ato që ne do të duhej çdo kohë me i pas nënkujdesje, fëmijët jetim, fëmijët pa prind, gratë mbajtëse apo gratë me nevoja që të ruhen, mbrohen, dhe pleqtë e pambrojtur, janë pjesë e atyre që do ta shfrytëzojnë këtë hapësirë, këtë infrastrukturë prej disa objekteve që shkon në një vlerë prej mbi 2.5 milionë dollarë”, tha ai.

Haziri bëri të ditur se është investim i Komunës së Gjilanit dhe i partnerëve të tyre nga shteti i Kuvajtit, ndërkohë që bëri të ditur se në shtator do të organizojnë një gala mbrëmje për mbledhjen e fondeve për këtë objekt.

Në emër të donatorit foli Islam Cakaj, i cili tha se është zgjedhur komuna e Gjilanit për shkak të gatishmërisë së zyrtarëve të kësaj komune për të përgatitur të gjithë materialin e nevojshëm administrativ, njofton rtklive.

Cakaj: Ky projekt i takonte vetëm Gjilanit duke u bazuar në gatishmërinë e tyre

“Sot jemi të nderuar të vijmë në këtë vend të veçantë, për një projekt të veçantë dhe gjithashtu për njerëzit e veçantë. Pa dyshim, ky projekt i takonte vetëm Gjilanit duke u bazuar në gatishmërinë e tyre për të përgatitur të gjithë materialin e nevojshëm administrativ dhe gjithçka kërkohej për këtë. Prandaj, ne me ndihmën e Zotit dhe me përkrahjen e donatorëve nga shteti i Kuvajtit kemi arritur që sot bashkërisht të zyrtarizojmë startin e kësaj pune të madhe”, tha ai.

Ndërtimi i një qendre të tillë është i pari që bëhet në Kosovë.