Vidhen 19 ditarë në shkollën e Mjekësisë në Pejë

Vidhen 19 ditarë në shkollën e Mjekësisë në Pejë

Disa persona të dyshuar kanë hyrë në objektin e shkollës së mesme të mjekësisë në Pejë, duke vjedhur 19 ditarë në të cilët mbahen evidencat e notave të nxënësve.

“Policia rreth orës 7 të mëngjesit ka marrë informatën se në rrugën “Esat Mekuli” në Pejë në shkollën e mesme të mjekësisë ka ndodhur një rast vjedhje. Njësitet relevante kanë shkuar në vend ngjarje dhe kanë biseduar me ankuesin”, ka thënë zëdhënësi i policisë në rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj për Insajderin.

Ibraj më tej ka treguar se personat e dyshimtë kanë hyrë brenda duke thyer xhamat e dritareve të banjës duke e pastaj kanë thyer edhe derën e blinduar të zyrës së drejtorit.

“Kanë vjedhur 19 ditarë ku mbahen evidencat e notave të të gjithë nxënësve të kësaj shkolle. Diçka tjetër nuk është vërejtur se ka munguar. Sipas drejtorit dera ka qenë e mbyllur që nga data 17 mars”, ka thënë Ibraj.

Polica e Kosovës së bashku me Prokurorinë e Shtetit janë duke e u marrë me këtë rast, ndërsa Ibraj më tej ka thënë se ende nuk dihet për kryesit e kësaj vepre./Insajderi.com