Video tallëse për priftërinjtë, në Greqi duan “kokën” e Andi Lilës

24.03.2017 16:09
Video tallëse për priftërinjtë, në Greqi duan “kokën” e Andi Lilës

Një video e nisur me humor, por që po prodhon një skandal të vërtetë. Protagonistë, Andi Lila, Armando Sadiku dhe Imami Ahmed Kalaja.

Dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë, të cilët pritet të zbresin në fushë kundër Italisë, nisin një bashkëbisedim miqësor dhe satirik mes tyre, por të dokumentuar edhe me pamje, ku mbrojtësi kavajas nis të tregojë disa nga historitë që i kishin ndodhur me priftërinjtë në Greqi.

Lojtari i PAS Janinës, i shtyrë edhe nga kureshtja e riteve helene nisi të tregojë historitë e tij, por me sa duket, edhe pse ato ndezën një ilaritet në dhomën e hotelit ku ata akomodoheshin, video e postuar nga shumë rrjete, bëri jehonë deri në Greqi.

Shumë portale, por edhe të përditshme në shtetin fqinj, duke marrë parasysh edhe ndjenjën e fortë të besimit fetar që ata ushqejnë, nuk ngurruan që të mos e publikonin lajmin e quajtur bombastik, por ju duke e marrë me ilaritet si në rastin e incizimit të videos nga Lila, Sadiku e Kalaja, por me doza krejt të kundërta.

Përveçse gjithë bisedës së zbardhur, ka pasur shumë reagime të ashpra, jo vetëm nga gazetarë e njerëz të fesë greke, por edhe nga sportdashës, aq sa disa media kanë arritur deri aty sa kanë kërkuar edhe pezullimin e lojtarit nga klubi i PAS Janinës, por në të njëjtën kohë edhe përjashtimin nga kampionati grek i futbollit.

Shkurt, opinioni publik i prekur nga ky videoskandal ka arritur deri aty sa ka kërkuar edhe “kokën” e futbollistit, i cili nuk është i ri me të tilla ndodhi, gjeste që e kanë çuar atë në përjashtim, ndonëse për momentin nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga ana e klubit të Janinës, ku ai luan prej 6 sezonesh.

Natyrisht që kjo histori nuk pritet të kalojë kaq lehtë në Greqi, pasi të prekur nga Andi Lila janë pikërisht disa priftërinj dhe të rëndësishëm, madje të cilët ironizohen nga shqiptari.

Mbase për të mund të vijë një pezullim i radhës duke parë jehonën e madhe që bëri edhe përtej kufijve tanë, ndoshta edhe më i rëndë se ai që mori nga PAS Janina, pasi festoi me shenjën e shqiponjës, pas një goli në “Karaiskaki”, kundër Olimpiakosit, i cili tërboi edhe më shumë turmën që e kishte marrë në shënjestër me kore raciste për 95 minuta.

Të tilla çështje fetare në Greqi janë shumë të ndjeshme, ashtu sikurse gjestet etnike, duke kujtuar edhe atë që, përveç Andi Lilës, pësoi disa vite më parë edhe shqiptari tjetër, Ergys Kaçe. Ky i fundit pozoi me një fanellë të UÇK-së, e cila tërboi opinionin grek, madje dhe tifozët e tij te PAOK-u.

Futbollisti u pezullua për mua të tërë, derisa ishte ndërhyrja e trajnerit dhe presidentit të klubit, ajo që qartësoi dhe “ngjiti” marrëdhënien mes Kaçes dhe tifozërisë, ndonëse në rastin e Andi Lilës dhe videos së fundit, ndoshta gjëja pritet edhe më serioze se kaq. /Panorama-sport.com