Veton Surroi për aktakuzën kundër Shefeqet Krasniqit: Nuk ka prova kundër tij, është i pafajshëm

Veton Surroi për aktakuzën kundër Shefeqet Krasniqit: Nuk ka prova kundër tij, është i pafajshëm

Publicisti Veton Surroi përmes një shkrimi autorial ka dalur në mbrojtje të ish-imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqit.

Surroi përmes këtij shkrimi ka thënë se Shefqet Krasniqi është i pafajshëm për aktakuzën me të cilën e ngarkon Prokuroria, për shkak të mbrojtjes së lirive fondamentale, sipas tij fajtor në masë të madhe është shteti i cili e akuzon atë.

Sipas Surroit thellësia teologjike dhe intelektuale e Krasniqit, mund të kuptohej lehtë në përgjigjen që ia dha një besimtari se ku e kishte vendin Nëna Terezë.

“”Në Xhehnem”, tha ai me vendosmërinë e njeriut që i di gjërat e ardhmërisë me siguri të plotë. Nëna Terezë, sipas dr. Krasniqit, e kishte vendin në Xhehnem (Ferr), sepse nuk e kishte pranuar “Allahun e plotë” , pra Allahun që nuk ka djalë të vetin (siç është rasti me Allahun e Nënës Terezë, i cili kishte djalë Jezu Krishtin). Ajo, sipas dr. Krasniqit, i ka pasë “të tanat. Me hangër çka don, me pi çka don, burra sa të don me ndërru…”, por megjithatë nuk e pranoi Allahun dhe tanimë do të jetë në Ferr”, shkruan ai.

Surroi shkruan se ekzistoi një ndërlidhje e natyrshme mes dy fenomeneve: predikimit jotradicional të Krasniqit e shokëve të tij dhe rritjes brengosëse të numrit të rekrutëve të rinj shqiptarë në ISIS dhe Al-Nusra.

Kjo ndërlidhje sipas Surroit nuk do të befasonte me lajmin se u ngrit aktakuzë ndaj Krasniqir për shtytje për kryerjen e veprave terroriste. Por sipas tij me leximin e aktakuzën kuptohet se Krasniqi është i pafajshëm për këtë akuzë.

“Në aktakuzën kundër Krasniqit nuk ekziston as edhe një dëshmi me të cilën do të vërtetohej se ai ka ftuar ndokënd të kryejë akte terroriste. Nuk ekziston një dëshmi nga ligjëratat e tij publike e as ekziston dëshmi nga përgjimet elektronike. Përkundrazi, në provat e deklarimit të tij publik ekzistojnë prova se ka thënë se “nuk është farz (obligim fetar) me shku në Siri” dhe se “të rinjtë tanë nuk kanë obligim me shku në Siri”, shkruan ai.

Surroi thotë se Prokuroria pranon se nuk ka prova për thirrje të drejtpërdrejtë të Krasniqit për veprime terrorizmit, por cek se ka prova për veprim të zhdrejtë të tij në fjalimet publike.

“Dhe, si njërën prej provave më të mëdha kundër dr. Krasniqit shteti prezanton këtë shfryrje të tij, në një ligjëratë për Sirinë”, thotë Surroi duke tërhequr një paralele në mes të fjalimit të Krasniqit me një fjalim të Barak Obamas për Sirinë.

“Presidenti Obama, më 16 gusht 2011, duke kërkuar që Assadi të largohej nga posti i presidentit të Sirisë, deklaroi se është “koha për popullin e Sirisë që të vendosë për të ardhmen e vet, dhe ne do të qëndrojmë të fortë me të”. Pra, Barak Obama ka bërë pak a shumë çka ka bërë, natyrisht me stilin e tij, dr. Krasniqi: ka shprehur përkrahjen”, shkruan Surroi në një opinion në Koha Ditore.

E përbashkëta e të dy qëndrimeve thotë Surroi se nuk janë thirrje për veprime terroriste.

“Dhe meqë nuk ka prova për shtytje të drejtpërdrejtë të dr. Krasniqit për vepra terrorizmi, aktakuza kundër tij zhytet në territore deri tani të paeksploruara nga drejtësia”.

Akuza e Prokurorisë se “Gjatë faljes së xhumasë, paraqitjeve në TV, radio dhe rrjete sociale me anë të ligjëratave të ndryshme, imami kishte përdorur gjuhë të vrazhdët dhe interpretim të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor e frymës islame”, sipas Surroit do të ishte i mundshëm vetëm “në Republikën Islamike të Iranit a në Mbretërinë e Arabisë Saudite, aty ku institucionet e shtetit janë të autorizuara të gjykojnë për çështje të pastra religjioze”.