Veton Surroi krahason flamurin e Kosovës me “peshqirët e hoteleve në Turqi”

Veton Surroi krahason flamurin e Kosovës me “peshqirët e hoteleve në Turqi”

Në një reagim ndaj ligjit që po përgatitet me qëllim sanksionimin penal ndaj kujtdo që fyen apo përbuzë simbolet e shtetit, publicisti Veton Surroi ka fyer flamurin e Kosovës, të cilin e ka krahasuar me “peshqirët e hoteleve turke”.

Surroi ka deklaruar se kodi i ri penal që Ministria po e përgatit ndaj atyre që e fyejnë dhe përbuzin simbolet shtetërore, është tentim për të vënë në dispozicion “deliktin verbal”.

“Ministria e Drejtësisë përgatitka një kod të ri penal me të cilin sërish mund ta rikthejë deliktin verbal. Në ish Jugosllavi ishte neni famëkeq 133 , e Ministria e Drejtësisë e paska bërë 134. Në të , në pikën c shkruhet kështu:

Kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara:

1.1. fyen apo me keqdashje shpreh përbuzje ndaj Republikës se Kosovës ose ndaj rendit të saj kushtetues; ose

1.2. fyen ngjyrat, flamurin, stemën apo himnin e Republikës se Kosovës dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose me gjobë”, ka shkruar Surroi në Facebook.

Derisa ka kundërshtuar korrektësinë e këtij norme juridike, Surroi ka thënë se flamuri i Kosovës më shumë i ngjan një peshqiri të hoteleve turke, raporton Insajderi.

 

 

“Sa për informim paraprak të Ministrisë së Drejtësisë, konsideroj dhe kam shkruar se flamuri i Kosovës më shumë i ka hije një peshqiri të hoteleve turke (me gjashtë yje) se sa përfaqësimit të këtij vendi. Të njëjtën gjë jam i gatshëm ta përsëris edhe nëse aprovohet ky ligj. Si do ta vlerësonte gjykatësi këtë deklarim të hapur timin”, ka deklaruar ai. /Insajderi.com