“I vetmi kandidat për kryetar të Kuvendit është Kadri Veseli”

“I vetmi kandidat për kryetar të Kuvendit është Kadri Veseli”

I nominuari nga PAN-i për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se PAN-i i ka fituar votat dhe është një dallim i madh i numrave mes të parit dhe të dytit. Ai ka thënë se është e parakohshme Vetëvendosje të tentojë formimin e qeverisë, pa e provuar këtë së pari PAN-i.

“Mos të mashtrojë VV për një qeveri pa PDK-në, sepse unë u jam ofruar atyre dhe shoqërisë civile me një ofertë të shkruar, por ata nuk e kanë dashtë, dhe kjo që po bënë VV është vetëm një mashtrim”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Kadri Veseli është kandidat i vetëm për kryetar të Kuvendit, pasi është person serioz, ka përvojë, ka udhëheq Kuvendin për një mandat dhe ka mësuar shumë gjëra.

Haradinaj ka thënë se oferta e tyre për qytetarët ka qenë e qartë që Haradinaj do të jetë kryeministër e Veseli kryeparlamentar dhe për këtë kanë votuar qytetarët.

“Sikur të kishte fituar VV-ja për një deputet më shumë se ne, unë do të pranoja nga ta kandidaturën për kryeparlamentar dhe për formimin e qeverisë”, ka thënë mes tjerash Haradinaj, në televizionin publik.

Duke mos dashur të tregojë se sa vota i ka, ai ka thënë se sa për t’ia nis punës si kryeministër i ka votat.