Vetëvritet në garazh një 13 vjeçar në Ferizaj

10.08.2017 17:28
Vetëvritet në garazh një 13 vjeçar në Ferizaj

Një 13 vjeçar nga fshati Lloshkobare i Ferizajt, raportohet se ka kryer vetëvrasje. Rastin e ka konfirmuar edhe policia Rajonale e këtij qyteti.

Televizioni lokal Tema raporton se vetëvrasja e 13 vjeçarit E.A nga fshati Lloshkobare i Ferizajt, ka tronditur jo vetëm familjen.

Ky rast për të cilin u paragjykua në qarqe të këtushme, kinse ka ndodhur nga pasojat e lojës “Balena Blu”, për Policinë Rajonale të Ferizajt janë thjeshtë spekulime.

Drejtori i Policisë Rajonale të Ferizajt, nënkolonel Gazmend Hoxha, tha se hetimet e deritanishme të policisë nuk flasin për motive të tilla.

“Ne nuk kemi informacione të tilla, në bazë të atyre që i kemi deri më tani, në asnjë lidhje nuk del se personi ka pasur kontakte me lojën “Balena Blu” apo lidhje me teknologjinë informative dhe lojëra të tilla. Në bazë të informacioneve që kemi pranuar nga hetuesit, personi as që ka pasur kontakte me telefona apo gjëra të tilla, kështu që nuk qëndrojnë aspak këto motive. Motive të tjera jemi duke i shqyrtuar, por sipas asaj që deri më tani kemi mund të jetë ndonjë zemërim çasti, por që asgjë s’mundemi me konfirmuar”, tha Hoxha.

Nënkolonel Hoxha, njoftoi se vitet e fundit është rritur numri i vetëvrasjeve, por në moshë kaq të re, tha se është njëri ndër rastet e rralla.

“Ka pasur raste sidomos pas luftës, por që me moshë kaq të re rastet janë shumë më të rralla. Ne e konsiderojmë si rast të jashtëzakonshëm’’, tha ai.

Ekipi i Televizionit Tema ka qëndruar tek familja e 13 vjeçarit të ndjerë, të cilët me dhembje të thellë treguan se djali i tyre nuk ka pasur asnjë problem, e as ndonjë zemërim.

Madje familjarët e viktimës, thanë se i ndjeri nuk ka poseduar telefon dhe s’ka qenë i fikësuar pas rrjeteve sociale.

Duke mos dashur të paraqiten para kamerës, anëtarët e familjes kanë treguar se 13 vjeçari kishte varur vetën në garazhin e shtëpisë, pa lënë ndonjë letër apo mesazh gojor paraprakisht.