Vetëvendosje i vendos dy kushte presidentit për përfshirje në dialog

Vetëvendosje i vendos dy kushte presidentit për përfshirje në dialog

Partitë opozitare në Kosovë kanë pikëvështrime të ndryshme lidhur me mundësinë e krijimit të një Ekipi të Unitetit, për fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 31 gusht, pas takimit të fundit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nëpërmjet një deklarate për medie pati thënë se “pas krijimit të institucioneve, në mënyrë sa më konsensuale të mundshme, përmes Ekipit të Unitetit, Kosova të përfaqësohet në pjesën finale, përmbyllëse, historike të shtet-ndërtimit”.

“Për këtë arsye kam thirrur për krijimin e një baze të gjerë përfaqësuese të spektrit politik kosovar dhe të shoqërisë civile, të medieve dhe opinion-bërësve”, pati thënë presidenti Thaçi.

Por, Shpëtim Kamberi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo më e madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se bisedimet e reja me Serbinë nuk do të duhej të nisnin pa hetimin dhe vlerësimin e dialogut të deritashëm.

“Lëvizja Vetëvendosje mendon që nuk mund të ketë bisedime të reja me Serbinë në Bruksel, përderisa Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e krijon një komision për të shqyrtuar se si është bërë dialogu deri më tani. Kjo, sepse ka qenë një dialog, së pari jotransparent, i cili e ka anashkaluar në vazhdimësi Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky është parakushti i parë që duhet të ndodhë në Kosovë. E dyta, mendojmë që dialogu duhet të ridefinohet, nga e para dhe nuk duhet të ndryshojë vetëm në përbërje, por duhet të ndryshojë edhe korniza dhe premisat e këtij dialogu”, theksoi Kamberi. /Insajderi.com