Vetëvendosje thotë se Kosova rrezikohet nga dy regjime

Vetëvendosje thotë se Kosova rrezikohet nga dy regjime

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri sot në një konferencë për media tha se agresioni i Serbisë karshi Kosovës nuk është i ri e as fundamentalisht i ndryshëm, pasi sipas tij, metodat mund të dallojnë herë pas here duke iu përshtatur rrethanave, por qëllimi e efekti i tyre vazhdimisht janë të njëjta.

Ymeri ka hedhur thënë se falë negociatave pa parime dhe pa kushte na sollën në gjendjen ku jemi duke shtuar se ata që na këtë gjendje janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa.

“Të gjitha këto ndërhyrje Serbisë iu mundësuan nga negociatat pa kushte e pa parime dhe koncesionet e vazhdueshme ndaj saj, si rrjedhojë e po këtyre negociatave. Këto na sollën këtu ku jemi. Rruga e negociatave dhe e koncesioneve ndaj Serbisë, si dhe eksponentët kryesor të kësaj rruge, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Isa Mustafa, nuk janë zgjidhja, por problemi”, tha Ymeri.

Ai tha se nënshkruesit e “Zajednicës” nuk veprojnë për Kosovë sovrane, por për Kosovë me “Zajednicë”.

“Zgjedhjet demokratike e ndryshimi rrënjësor i politikës institucionale, veçanërisht karshi Serbisë, janë rruga përpara. Jo ndërmarrjet a ndërhyrjet e pjesshme për interesa personale, të uzurpatorëve të Republikës. Kush më shumë e kush më pak, Thaçi, Veseli e Mustafa, dhe të tjerët si këta, kanë kontribuar herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë indirekte në krijimin e gjendjes aktuale që e kemi”, tha Ymeri.

Sipas tij, dobësimi i vazhdueshëm i Kosovës prej çarmatosjes së UÇK-së, deri tek privatizimet e dialogu, de-industrializimi e uzurpimi i resurseve e kapaciteteve shtetërore, rrënimi ekonomik, e ka bërë atë një shtet që nuk mund të vetëmbrohet.

“Sot kur jemi të kërcënuar me luftë si asnjëherë më parë që prej vitit 1999, jemi njëkohësisht nën një regjim gllabërues të udhëhequr nga politikanë të shantazhueshëm e skajshmërisht të papërgjegjshëm ndaj të mirës së përgjithshme. Kosovës sot nuk i duhet lufta. Më shumë se kurrë kemi nevojë për forcim të Republikës, shtetndërtim sovran, bashkërendim kombëtar, punë, drejtësi e paqe. Serbia këtu ka qenë kolonizatore”,  tha ndër të tjera lideri i Vetëvendosjes./Insajderi.com