Vetëvendosje: Shpend Maxhuni kontrollohet nga pushteti

08.09.2016 18:59
Vetëvendosje: Shpend Maxhuni kontrollohet nga pushteti

Shpend Maxhuni është person i kontrolluar nga pushteti dhe si i tillë nuk do të duhej t’i jepet edhe një mandat tjetër në krye të Policisë së Kosovës.  Kështu ka vlerësuar Lëvizja Vetëvendosje vendimin e Qeverisë së Kosovës që t’i vazhdojë edhe një mandat Maxhunit në krye të Policisë.

Vetëvendosje thotë se fakti që Maxhuni kontrollohet nga politika është vërtetuar edhe përmes Dosjes së Shefave, një seri përgjimesh të zyrtarëve të lartë të PDK-së të publikuara nga Insajderi, ku ndër të tjerash dëgjohet se si nënkryetari i kësaj partie Adem Grabovci i dërgon Maxhunit listë me persona që duhet të punësohen në këtë institucion.

Kjo parti po ashtu ka fajësuar Maxhunin për ndërhyrjen e policisë në zyret e Vetëvendosjes pas një protestë më 28 nëntor të vitit të kaluar.

“I njëjti ka zbatuar urdhra e klanit Pronto për ta bastisur zyrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! me 28 nëntor të vitit të kaluar, ku u tregua dhunë e terror i paparë. Si dhe janë bastisur shtëpitë e aktivistëve, siç është rasti me arrestimin e 6 aktivistëve këtyre ditëve, të cilëve iu mveshen akuza për terrorizëm pa asnjë fakt të vetëm”, thuhet më tej nga Vetëvendosje.

“Përveç këtyre shkeljeve, mandati i kaluar i Maxhunit është përcjellur me skandale të shumta, që nxjerrin një përfundim se integriteti profesional i tij është barabartë me zero, dhe se qëndrimi i tij edhe për pesë vite në krye të Policisë, e ulë edhe më shumë besimin në këtë institucion dhe kredibilitetin e tij.

Me gjithë këto skandale, është e qartë dhe e kuptueshme se Shpend Maxhuni përveçse nuk duhet ta ketë edhe një mandate në krye të Policisë, ai duhet të jap përgjegjësi për veprimet e tij, si pjesë e zinxhirit kriminal të klanit Pronto, thuhet në komunikatën e VV-së./Insajderi.com