Vetëvendosje refuzon pjesëmarrjen në takimin e ardhshëm konsultativ

Vetëvendosje refuzon pjesëmarrjen në takimin e ardhshëm konsultativ

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ, të caktuar për të mërkurën.

Sipas tij, këto takime po bëhen vetëm për të blerë kohë  nga koalicioni PAN deri sa të thirret seanca e Kuvendit.

Konjufca ka thënë pas takimit me shefat e Grupeve Parlamentare se këto takime po kthehen në tryeza politike.

“Një takim që e ka synimin e qartë, për të vendosur datën për seancën, këta dëshirojnë të kthejnë në tryezë politike”, ka thënë ai.

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, ftoi shefat e GP të mblidhen sot në ora 12, pasi që dështoi seanca parlamentare për shkak të mungesës së PAN. Ky koalicion refuzoi të shkojë në seancë me arsyetimin se të enjten nuk është ftuar nga kryesuesi Mikullovci.

Ndërkaq, Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë pas mbledhjes se takimi i radhës konsultativ për të caktuar një datë për seancën e Kuvendit do të mbahet të mërkurën.

Ai ka thënë se takimi i sotëm ka treguar se edhe kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, e ka kuptuar se nuk mundet të ftoj séance pa konsulta të përbashkëta me partitë politike./Insajderi.com