Vetëvendosje paralajmëron protesta për shkarkimin e Rikalos

Vetëvendosje paralajmëron protesta për shkarkimin e Rikalos

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se do të organizojë protesta para Qeverisë së Kosovës nëse kryeministri Ramush Haradinaj nuk do ta shkarkojë ministrin Nenad Rikalo.

Rikalo po akuzohet nga banorët e lagjes Dardania të Prishtinës se ka maltretuar shqiptarë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për këto dyshime, deputeti i LVV-së Glauk Konjufca ka thënë se duhet të nisen hetime kundër ministrit të Bujqësisë nga Lista Serbe dhe të shkarkohet Rikalo nga posti i ministrit.

“Ne në Kosovë kemi shumë probleme: me korrupsion, me ekonomi, por nëse një person i Millosheviqit bëhet ministër atëherë është krejt tjetër debat”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka deklaruar se nëse nuk shkarkohet Rikalo, atëherë do të thërrasin për protesta para Qeverisë së Kosovës.

“Do të mbledhemi para qeverisë së Kosovës, të gjithë qytetarët, që të mbrojmë dinjitetin e shtetit tonë, dhe gjakun e atyre që kanë dhënë jetën për liri. Një njeri ministër që ka maltretuar shqiptarë, kjo as që vjen në shprehje, këtu nuk duhet të ketë debat”, ka thënë Konjufca. /Insajderi.com