Vetëvendosje në Podujevë kundërligjshëm organizon trajnime për maturantët

03.06.2018 10:56
Vetëvendosje në Podujevë kundërligjshëm organizon trajnime për maturantët

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë përmes një njoftimi të datës 23 maj ftonte të gjithë maturantët e kësaj komune që të marrin pjesë në trajnimet që do t’i organizojnë për provimin pranues për disa fakultete të Universitetit të Prishtinës.

“Njoftojmë të gjithë maturantët e Shkollave të Mesme në Komunën e Besianës se Lëvizja VETËVENDOSJE! në Besianë organizon trajnime për provim pranues ne Universitetin e Prishtinës”, thuhet në njoftim.

Fakultetet për të cilat do të organizoheshin këto trajnime ishin për Fakultetin Ekonomik; Fakultetin Juridik; Inxhinjeri/Shkenca kompjuterike; Mjekësi e Përgjithshme (Kimi); Gjuhë Angleze; Shkenca Politike; Filozofi; Sociologji.

Në njoftim thuhej se trajnimet janë falas dhe të interesuarit do të mund të paraqiteshin në zyrat e degës së Vetëvendosjes në Podujevë. Aty ishin lënë edhe numrat e telefonit për të gjithë të interesuarit.

Gazeta Insajderi ka kërkuar interpretim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) nëse trajnime të tilla janë të lejueshme.

Nga përgjigjja e MAShT-it del se legjislacioni në fuqi nuk i jep të drejtë degës së Vetëvendosjes të bëjë organizime të tilla.

“Në bazë të legjislacionit në fuqi subjektet politike nuk kanë të drejtë të organizojnë trajnime për përgatitje të provimit pranues në fakultete të Universitetit të Prishtinës dhe jo vetëm, sepse organizatorët e trajnimeve duhet të kenë të licencuara dhe akredituara programet e tyre të trajnimeve”, thuhet në përgjigjen e MAShT-it dhënë për Insajderin.

Insajderi gjithashtu ka kërkuar sqarim edhe nga Universiteti i Prishtinës, për të cilin dega e VV-së në Podujevë po përgatiste maturantët, por nuk kanë kthyer përgjigje./Insajderi.com