Vetëvendosje mbajti aksion afër burgut të Prizrenit – kërkon lirimin e aktivistëve

Vetëvendosje mbajti aksion afër burgut të Prizrenit – kërkon lirimin e aktivistëve

Lëvizja Vetëvendosje mbajti të premten një aksion simbolik pranë burgut të Prizrenit, aty ku tash e 67 ditë mbahet aktivisti Astrit Dehari.

Duke shpalosur parullën “Lironi të burgosurit politik” dhe me brohoritje të ndryshme, aktivistët kërkuan lirimin e Deharit dhe anëtarëve të tjerë që po mbahen në burgjet në Lipjan e Pejë.

VV njofton përmes një komunikate se në fjalën e tij, anëtari i Kryesisë, Xhelal Sveçla, tha se pushteti kriminal i klanit “Pronto” me montime e pa asnjë provë të vetme po i privon nga liria gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje vetëm pse janë aktivistë të saj, e rrjedhimisht kundërshtarë të këtij regjimi që dita ditës po bëhet regjim autoritar.

“Këtu, para meje ndodhet Astrit Dehari, një aktivist shembullor nga një familje veprimtarësh , një student i shkëlqyer në Fakultetin Mjekësisë, një shok e familjar i dashur, një shembull për çdo të ri në Kosovë. Pikërisht për këtë, Astriti mbahet në burg sepse djemtë si Astriti nuk i duron një pushtet kriminelësh e një pushtet injorantësh”, theksoi Sveçla, thuhet në komunikatë.

Më tej, ai shtoi se aktet e tilla të këtij pushteti nuk e zbehin rezistencën tonë kundër aktivitetit kriminal të këtij klani kriminal, duke thënë se Astrit Dehari nuk mund të qëndrojë aty ku e ka vendin klani “Pronto”, aty ku duhet të jenë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Isa Mustafa e të tjerë, thuhet tutje në komunikatë.

Sveçla potencoi se mbajtja në burg gjashtë aktivistëve është shkelje me dy këmbë mbi drejtësinë./Insajderi.com