Vetëvendosje lë fajtore LDK-në për dështimin e bërjes së koalicionit

Vetëvendosje lë fajtore LDK-në për dështimin e bërjes së koalicionit

Lëvizja Vetëvendosje e akuzon Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK), se nuk ishte e gatshme ta dërgonte PDK-në në opozitë. Albulena Haxhiu deputete e Vetëvendosjes i ka thënë Insajderit se pavarësisht takimeve, harmonizimi i programeve nuk ka ndodhur për shkak të LDK-së.

“Menjëherë pas rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit ne jemi angazhuar në drejtim të jetësimit të këtij rezultati. Pra duke parë që zgjedhjet e 11 qershorit shënuan një kthesë të rëndësishme në skenën politike dhe duke parë që qytetaret votuan kundër klanit Pronto, ne kemi treguar gatishmërinë tonë që PDK ta qojmë në opozitë”.

“Fatkeqësisht nuk e kemi parë këtë gatishmëri edhe nga ana e LDK. Pra ndonëse në ato pak takimet tona ishim dakorduar që do të harmonizojmë programet kjo nuk ka ndodhur për shkak të hezitimit të LDK”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë sot gjatë ditës, kandidati i LDK-së dhe koalicionit LAA për kryeministër Avdullah Hoti ka akuzuar pikërisht Vetëvendosjen se kanë qenë gjithmonë bashkë me PDK-në.

“Këto dy parti gjithmonë kanë bashkëpunuar për dhunë. Kur kryetari i kuvendi lejonte që të futej deputet që përdornin dhunë dhe tash gjoja kacafytën. Këto dy parti janë marrë vesh për të bashkëpunuar edhe në Prishtinë. Kanë bashkëpunuar kundër Kosovës dhe sot dalin në debate që janë false”, ka deklaruar gjatë ditës Hoti./Insajderi.com