Vetëvendosje: Largimi i Shpend Ahmetit i hapi rrugë ‘FER-it 2’ që po çalon ende pa nisur të ecë

Vetëvendosje: Largimi i Shpend Ahmetit i hapi rrugë ‘FER-it 2’ që po çalon ende pa nisur të ecë

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate dërguar mediave ka kritikuar anëtarët e dorëhequr të cilët sot edhe zyrtarisht krijuan një Grup të ri Parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Fillimisht VV thotë se Grupi i Deputetëve të Pavarur janë larguar pa asnjë tekst sqarues, teksa ka pyetur se cilat janë dallimet politike të tyre me Lëvizjen.

“Sa i përket 12 deputetëve të tjerë që kanë krijuar sot “Grupin e Deputetëve të Pavarur” (GDP), ata vazhdojnë të ndërmarrin veprime pa asnjë tekst shpjegues. Cilat janë vijat e orientimit të tyre politik, apo dallimet e tyre politike me Lëvizjen? Ata janë pa qëndrime zyrtare, njësoj si pushtetarët dhe politikanët e vjetër, që improvizojnë me veten e me Kosovën, në dëm të popullit. Ky grup pa tekst e pa qëndrime dëshmon edhe për faktin se kemi të bëjmë me individë që kanë dallime të mëdha me njërit-tjetrin, të cilët të pavarur janë vetëm nga vetvetja”.

“Me këtë vendim të tyre, këta 13 deputetë janë vetëpërjashtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE ! dhe nuk mund ta përfaqësojnë më atë as brenda dhe as jashtë institucioneve. Lëvizja ka bërë çmos që kjo të mos ndodhte, por plani i tyre ka qenë qartazi i hershëm dhe pa kthim mbrapa”, thuhet në njoftimin e VV-s%.

Vetëvendosje ka thënë se largimi i deputetëve është mashtrim i mijëra qytetarëve dhe aktivistëve. Sipas kësaj partie po ashtu të dorëhequrit kanë përfituar nga fondi i dedikuar për fushatë dhe për shumë aktivitete të tjera për ta ndër vite.

“Megjithatë, më shumë sesa largim nga Lëvizja VETËVENDOSJE ! këta deputetë janë larguar nga populli që i ka përkrahur. Ata po marrin me vete padrejtësisht mandate që nuk u takojnë, duke shkelur mbi punën dhe sakrificat e mijëra aktivistëve, duke mashtruar me mijëra qytetarë, dhe duke përfituar nga fondi dedikuar për fushatë e për shumë aktivitete të tjera për ta ndër vite”.

“Do duhej sigurisht që ata të falenderoheshin për kontributin e tyre të mëhershëm në Lëvizjen VETËVENDOSJE !, por marrë parasysh manipulimin e madh që kanë orkestruar në opinion publik ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE ! gjatë gjithë këtyre muajve, marrë parasysh të pavërtetat që kanë thënë, marrë parasysh shtrembërimin e madh që kanë shkaktuar ndaj vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, do të dukej shumë hipokrite nga ana jonë që këtë falenderim ta bënim pikërisht sot”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Më tej sipas VV-së largimi i këtyre deputetëve vije pas largimit të Shpend Ahmetit, i cili sipas VV-së i hapi rrugë formimit të ‘FER-it 2’.

“Një ikje e tillë nuk është reflektuar në anëtarësinë dhe mbështetësit e Lëvizjes. Këto largime nuk kanë qenë çarje, por thjesht ikje, ikje nga përgjegjësitë, nga fjala e dhënë, dhe, siç duket, edhe nga programi politik. Këto ikje vijnë pas largimit të Shpend Ahmetit, duke i hapur kështu rrugën tentativës për formimin e “FER-it 2″ me emër të ri. Tentativë që duket se po çalon ende pa nisur të eci”.

“Pas këtyre ikjeve, Lëvizja VETËVENDOSJE ! e ka të gjithë mundësinë, vullnetin dhe kapacitetet për t’u rritur e forcuar si kurrë më parë. Koha punon në favorin tonë. Plani i tyre për ta përçarë e për ta shkatërruar Lëvizjen dështoi. Turpi do të mbetet me ata që nuk e kuptuan përgjegjësinë e tyre historike dhe e vendosën veten mbi synimet politike e ideore. Suksesi do t’i shkojë popullit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE ! që nuk iku, nuk u nda e nuk do të ndahet kurrë prej tij”, thuhet në njoftimin e VV-së