Vetëvendosje i kundërpërgjigjet LDK-së për postin e kryeministrit

30.08.2017 13:37
Vetëvendosje i kundërpërgjigjet LDK-së për postin e kryeministrit

Deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Pantina, i është kundërpërgjigjur deputetit të LDK-së Ramiz Kelmendi, i cili thotë që me VV-në nuk do të ketë asnjë lloj marrëveshje nëse postin për kryeministër nuk do ta ketë LDK-ja.

Sipas Pantines, është ende herët të bisedohet për ndarje të posteve dhe kjo deklaratë e Kelmendit ndoshta nuk e pasqyron qëndrimin LAA-së.

“Ne ende nuk kemi ardhur në fazën kur do të diskutonim për ndarjen e posteve, me LDK-në kemi pasur takime vetëm për fazën programor, mirëpo besoj që janë njerëz tjerë që flasin për qëndrimin e LAA-së, dhe ky mund të jetë ndoshta vetëm mendim i Ramiz Kelemendit”, tha Pantina për Gazeta Blic.

Pantina ka thënë se Vetëvendosje mbetet e vendosur sa i përket postit të kryeministrit.

“Ne në Vetëvendosje kemi një vendim të Këshillit të Përgjithshëm dhe ai vendim është që Albin Kurti të jetë kryeministër sepse është personi më i votuar në zgjedhjet e qershorit”, përfundoi Pantina.