Vetëvendosje dhe PDK përplasën për zyre në kuvend

Vetëvendosje dhe PDK përplasën për zyre në kuvend

Zyrat e grupeve parlamentare janë bërë shkak i një përplasjeje mes PDK-së e VV-së. Lëvizja Vetëvendosje, si grupi më i madh parlamentar, me 32 deputetë, pritet ta ketë zyrën, të cilën prej kohësh e ka shfrytëzuar PDK-ja.

Me gjithë kundërshtimet në fillim, duket se PDK-ja është bindur që t’ia lëshojë atë zyrë Vetëvendosjes, meqë lëvizja tash është forca më e madhe në Kuvend, pasuar nga LDK-ja, ndërsa partia e Veselit mbetet si forca e tretë në legjislativ.

Përfaqësuesit e Vetëvendosjes dhe PDK-së gjatë ditës kanë arritur pajtueshmëri që ajo zyrë t’u lirohet.

Albulena Haxhiu thotë se ajo zyrë është e Kuvendit të Republikës e jo e trashëguar.

Renditja e PDK-së si e treta në Kuvend u bë pas vendimit të kryesisë që AAK-ja e Nisma të funksionojnë si grupe të veçanta brenda Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se ndarja u bë sepse duan ta ruajnë identitetin e partisë.

Ai thotë se bashkëpunimi me PDK-në do të vazhdojë të jetë sikur deri tash dhe asgjë nuk do të ndryshojë.

Forcat politike të pushtetit dhe opozitës kanë pothuajse bilanc të njëjtë edhe në komisionet parlamentare e kjo për opozitën është fakt pozitiv, raporton KTV

Thonë se do të pengojnë çfarëdo ligji që është kundër interesit të qytetarëve e që tentohet të kalojë nga partitë në pushtet.

Pas ndarjes së komisioneve, Vetëvendosje do të udhëheqë me katër, LDK-ja dhe PDK-ja me nga tri, AAK-ja e Nisma me nga një si dhe nga një komision do ta udhëheqin minoritetet. Ndërkohë, veç një anëtar më shumë mund të jetë dallimi në përfaqësim në komisione mes pushtetit e opozitës.