Veteranët paralajmërojnë rebelim

Veteranët paralajmërojnë rebelim

Ka përfunduar e qetë protesta e dhjetëra veteranëve të luftës së UÇK-së e cila u mbajt para objektit të Qeverisë së Kosovës. Gjatë këtij tubimi ata kërkuan që t`iu jepet pensioni që iu takon edhe rreth 4000 veteranëve të cilët akoma nuk e kanë marrë atë.

Ata kanë kërkuar që Qeveria ta emërojë një komision mjekësor që të përcaktojë shkallën e invaliditetit për ata invalidë që nuk e kanë zgjedhur këtë problem.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka theksuar se këtë herë protesta ishte e qetë por nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e veteranëve brenda muajit, nuk mund të garantojnë që protesta e radhës do të jetë e qetë.

Sipas tij janë mijëra veteranë të cilëve nuk është njohur e drejta e tyre. Ai po ashtu ka bërë fajtor Komisionin Qeveritar për verifikimin e listave të veteranëve. Protesta ka zgjatur rreth një orë dhe ka qenë e qetë.

Ndërkohë njëri nga protestuesit, Tafil Ibrahimaj nga fshati Llapqevë Komuna e Malishevës, ka theksuar se këto janë padrejtësi që po bëhen nga ana e zyrtarëve përkatës, duke shtuar se ‘’në këto lista kanë hyrë emra që s’kanë të bëjnë me UCK-në andaj këto lista duhet të shikohen me kujdes’’.