Veteranët kërkojnë nga Kuvendi ta rishqyrtojë Ligjin për Gjykatën Speciale

Veteranët kërkojnë nga Kuvendi ta rishqyrtojë Ligjin për Gjykatën Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se kanë kundërshtuar miratimin e Gjykatës Speciale.

“Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur parasysh dështimet e drejtësisë së UNMIK-ut dhe EULEX-it, kemi kundërshtuar miratimin e Gjykatës Speciale, sepse e kemi konsideruar edhe këtë të dëmshme për vendin tonë. Për këtë arsye kemi kërkuar krijimin e një gjykate vendore, e cila do të merrej me të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë kohës së luftës”, thuhet në njoftim.

Drejtuesit e kësaj organizate kanë thënë se, “meqenëse kjo gjykatë është e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përsëri e kundërshtojmë për shkak se është e njëanshme dhe ndjek e gjykon vetëm njërën palë apo UÇK-në, ndërsa Serbia dhe serbët që kanë kryer krime deri në gjenocid, amnistohen”.

“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës, që në seancën e thirrur për të mërkurën me 8 mars 2017 ora 10:00, të procedojë si pikë të rendit të ditës rishqyrtimin e ligjit për gjykatën speciale”, thuhet në njoftim.