Vetëm këto dy shtete i dalin në krah Rusisë për helmimin e agjentit në Angli

Vetëm këto dy shtete  i dalin në krah Rusisë për helmimin e agjentit në Angli

Nga të gjithë diplomatët e huaj në Moskë, vetëm përfaqësuesit e Serbisë dhe Venezuelës e kanë përkrahur pozicionin rus në “rastin Skripalj”, respektivisht atë të helmimit të agjentit të dyfishtë rus dhe vajzës së tij, që ndodhi javë më parë në Britaninë e Madhe, njoftoi “Komersant”.
Edicioni online i gazetës ruse shkruan se nga diplomatët që kanë folur gjatë brifingut në Ministrinë e Jashtme ruse, qëndrimin e Moskës e kanë përkrahur këshilltari i parë në ambasadën e Serbisë Ranko Pavloviq dhe ambasadori i Venezuelës Carlos Faria.

“Pavloviq ka përkujtuar se vendi i tij ‘është përballur me histeri dhe gënjeshtra të tilla nga ana e Perëndimit në vitin vitet ‘90”, shkruan “Komersant.

Duke thënë se ka pasur “shumë ‘fejk’ lajme dhe rrena”, diplomati serb ka “përkujtuar” ngjarjet e viteve 1994-95 dhe shpërthimet në tregun Markale në Sarajevë.

“Myslimanët vetë e bombarduan, ndërsa i akuzuan serbët”, ka thënë Pavloviq, duke “harruar” se tërë bota e di shumë mirë se atë, si dhe shumë vepra të tjera kriminale, e kryen serbët nga kodra Pale.

Britania e Madhe ka kërkuar përgjegjësi nga Moska për helmimin e agjentit të dikurshëm rus dhe vajzës së tij, të cilët ende janë në gjendje të rëndë në spital. Me Londrën dhe akuzën e saj ndaj Moskës, si dhe me kërkesën e saj për hetim ndërkombëtar për përdorimin e armës kimike që prodhohet vetëm nga Rusia, u solidarizuan edhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe shumë vende tjera të botës.