Veseli: Do të lirohen të gjitha pronat e uzurpuara

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka nisur sot vizitat në lokalet e liruara nga uzurpatorët.

Veseli: Do të lirohen të gjitha pronat e uzurpuara

I shoqëruar nga përfaqësues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Veseli ka vizituar sot dy prona të liruara nga uzurpatorët.

Gjatë vizitës së një lokali të liruar në qendër të Prishtinës, kryeparlamentari Veseli e uroi pronarin e ligjshëm, Naser Januzi për pronën e liruar.

Ndërsa, Januzi e falënderoi kryeparlamentarin Veseli për iniciativën dhe vendosmërinë për lirimin e të gjitha pronave të uzurpuara.

Pastaj, kryeparlamentari Veseli dhe përfaqësuesit e AKP-së vizituan pronën prej 1 hektar e 50 ari, e cila i është kthyer pronarit të ligjshëm, kompanisë “Emona”.

Kryeparlamentari Veseli tha me këtë rast se procesi i lirimit të pronave do të vazhdojë deri në lirimin e çdo prone të uzurpuar.

“Prona private është e shenjtë dhe pa kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm nuk mund të presim zhvillim dhe investitorë të huaj. Unë inkurajoj gjitha institucionet e rendit dhe ligjit që të vazhdojnë lirimin e gjitha pronave të uzurpuara”, tha Veseli.

Gjatë bashkëbisedimit me pronarët e ligjshëm të pronës së liruar në Vushtrri, kryeparlamentari Veseli u njoftua se ata së shpejti do të investojnë në pronën e tyre 4 milionë euro, ku pritet të punësojnë rreth 150 punëtorë.

“E falënderojmë shumë kryetarin e Kuvendit për iniciativën dhe insistimin për lirimin e pronave të uzurpuara. Ne e kemi blerë këtë pronë në privatizim dhe tani që na është liruar kemi projekt 4 milionë euro për investime”, tha Ylber Kuraja, përfaqësues i kompanisë “Emona”.

Edhe drejtori i AKP-së, Petrit Gashi, tha se institucion që ai drejton, është duke punuar për lirimin e gjitha pronave të uzurpuara dhe kthimin e tyre tek pronarët e ligjshëm.