Veseli: Pa heqje të fletëarresteve, nuk ka dialog me Serbinë

Veseli: Pa heqje të fletëarresteve, nuk ka dialog me Serbinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit lider i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë kur ajo të tregohet bashkëpunuese.

Ai ka kërkuar heqjen e fletëarresteve nga shteti fqinj për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë që takimet e Brukselit të vazhdojnë.

Veseli më tutje ka theksuar se Serbia duhet të heqë dorë nga përzierja në punët e brendshme të Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë dialogun si proces. Sepse i duhet Kosovës për të ecur përpara drejt integrimit në Bashkimin Europian. Por në të njëjtën kohë ne në asnjë moment nuk do të pranojmë që shteti serb të ketë autoritet mbi qytetarët tanë”, ka thënë Veseli.

“Serbia nuk guxon të përzihet në cështjet e brendshme të Kosovës. Serbia nuk mundet që për qytetarët tanë të ngris aktakuza. Aq më tepër ndaj një personaliteti që ka rol shumë të rëndësishëm për Kosovën. Dialogu nuk është ndalur, por Serbia duhet të heqë të gjitha fletë-arrestet në mënyrë që të vazhdohet ai”.