Veseli: Nuk lejojmë të keqpërdoret besimi në Zot

Veseli: Nuk lejojmë të keqpërdoret besimi në Zot

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në një konferencë shkencore të organizuar sot në Prishtinë nga Bashkësia Islame e Kosovës, ka folur për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë, si një vlerë tashmë e brumosur te qytetarët e saj.

“Ne kemi qenë, jemi dhe do të mbesim përgjithmonë vend i rrënjosur në vlerat e identitetit evropian. Ky është vizioni i palëkundur i shtetit tonë, i popullit tonë dhe komuniteteve tona fetare. Ne jemi komb shqiptar me vlera historike dhe rrënjë evropiane, por që jetojmë në disa shtete dhe kemi disa besime religjioze, për çka jemi krenarë pasi jemi shembull i tolerancës ndërfetare”, ka thënë Veseli.

Ai shtoi se myslimanët e Kosovës, bashkë me të gjithë besimtarët e feve të tjera, janë njësoj meritorë për ndërtimin dhe jetësimin e këtij vizioni evropian të Kosovës.

“Nuk do të lejojmë që besimi ynë në Zotin, të shkëputet nga dashuria dhe repsekti për njeriun, e të keqpërdoret për qëllime johumane apo nxitje të urrejtjes e mos durimit mes njerëzve që kanë përkatësi të ndryshme fetare”, ka thënë Veseli.

Ai ka shtuar se “feja islame është shumë e rëndësishme, prandaj, të gjithë ne, së bashku, nuk do ta lëmë atë në duart e injorantëve, fanatikëve dhe abuzuesve kushdo qofshin ata. Ne nuk do të lejojmë që ndjenjat e sinqerta të besimtarëve tanë të abuzohen dhe ëndrrat e të rinjve tanë të manipulohen”./Insajderi.com