Veseli thotë se politikanët kanë harruar ta dëgjojnë popullin

30.03.2017 13:55
Veseli thotë se politikanët kanë harruar ta dëgjojnë popullin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit, ka paralajmëruar një tur të ri dëgjimi – kësaj radhe me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

“Qytetarët para së gjithash, mendojnë se politika dhe politikanët, më shumë sesa të merren me problemet e qytetarëve, po merrem me problemet e njëri-tjetrit”, ka thënë Veseli gjatë një konference për media.

Në vend se politikanët të merren me zgjidhjen e problemeve të tyre, Veseli ka thënë se ata po u krijojnë probleme të reja atyre dhe vendit.

“Kjo sjellje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka shtuar ai.

“Gjatë këtyre javëve kam parë vërtet hendekun e thellë mes asaj se çfarë duan qytetarët dhe çfarë bëjnë politikanët në debatet e tyre shterpe”, ka shtuar ai.

Ky hendek, sipas tij, është krijuar sepse politikanët kanë pushuar së dëgjuari popullin.

“PDK-ja do të jetë partia që do t’i dëgjojë qytetarët e vet dhe veprimet tona do të vendosen pikërisht nga nevojat e këtyre qytetarëve”, ka thënë Veseli.

“Ata duan një lidership të vendosur që do të krijojë vende pune, që do të rrisë sektorin e bujqësisë dhe do të fuqizojë të rinjtë dhe gratë tona për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në zhvillimin e shtetit tonë”, ka vazhduar ai.

Vesesli ka thënë se, duke marrë për bazë shqetësimet e qytetarëve, va vendosur të veprojë.

“Që nga fillimi i javës do të takohem me ekspertë nga e gjithë Kosova dhe ata ndërkombëtarë në një turne për këto tema. Politikanët nuk i dinë të gjitha zgjidhjet që i kanë qytetarët, por duhet t’i dëgjojnë ekspertët”, ka shtuar ai./Insajderi.com