Veseli në Izbicë: Kurrë më nuk do të lejojmë masakra të tilla

Veseli në Izbicë: Kurrë më nuk do të lejojmë masakra të tilla

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në 18-vjetorin e masakrës së kryer nga forcat serbe në fshatin Izbicë të Skenderajt, gjatë të cilës u vranë dhe u masakruan 147 civilë të pafajshëm shqiptarë, bëri homazhe dhe vendosi lule në varrezat e viktimave të kësaj masakre.

Duke kujtuar dhe nderuar viktimat, kryeparlamentari Veseli tha se ky është çmimi i lirisë sonë, një sakrificë e jashtëzakonshme njerëzore, nga foshnjat deri te njerëzit e palëvizshëm.

Veseli tha se viktimat e kësaj masakre dhe të gjitha viktimat anekënd Kosovës, nuk do të harrohen asnjëherë dhe do të punohet deri në fund që drejtësia të vihet në vend.

“Kosova dhe populli i saj kurrë më nuk do të jenë të pambrojtur. Kurrë më nuk do të lejojmë që në tokën tonë të ndodhë diçka e tillë. Për këtë, garanci janë institucionet e Republikës së Kosovës, me të gjithë mekanizmat e tyre. Lavdia për të rënët është e përjetshme”, theksoi Veseli.

Para homazheve në Izbicë, kryetari Veseli ka zbuluar pllakën përkujtimore në fshatin Turiqevc, në vendin ku më 28 mars 1999, nga forcat serbe ishin vrarë motrat Ardita (13) dhe Edona Behrami (5)./Insajderi.com