Veseli: Mikullovci viktimë e Vetëvendosjes, kam një këshillë për të

Veseli: Mikullovci viktimë e Vetëvendosjes, kam një këshillë për të

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kosovës, Adem Mikullovci nuk ka vepruar në pajtim me Kushtetutën dhe rregullat e drejtimit të seancës.

Sipas Veselit, qysh prej betimit të deputetëve që Mikullovci e ka bërë duke përmendur fjalinë në fund “me zemër” që nuk është pjesë e betimit e deri tek mbyllja e seancës pa e zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

Ai ka thënë se Mikullovci ka bërë gabime të tilla dhe veprime të tjera të cilat kanë qenë urdhra të Vetëvendosjes dhe presion të madh nga kjo parti.

“Adem Mikullovci me tërë respektin për të ka qenë një viktimë e Vetëvendosjes. Ai ka pasur shumë presion nga partia e tij dhe të gjitha veprimet e sotme kanë qenë pjesë e kalkulimeve të partisë”, ka thënë Veseli në televizionin publik.

Ai më pas ka dhënë një këshillë për Mikullovcin.

“Mikullovci duhet që si kryesues të mos bëjë veprime të tilla. Duhet që të mos marrë veprime arbitrare por të thërras partitë dhe të caktohet një seancë ku do të zgjidhen të gjitha pengesat dhe të vazhdojmë tutje”, ka thënë Veseli.

Seanca e sotme konstituive dështoi të zgjedhë kryetarin e Kuvendit të Kosovës ani pse u mblodh dy herë gjatë ditës. Vazhdimi i saj është thirrur për nesër në orën 10 por koalicioni PAN nuk do të marrë pjesë në këtë seancë./Insajderi.com